“Ubejdullah ibn Musai më ka treguar nga Israili, e ky nga Ebu Is'haku se Berai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ shkoi për umre në muajin dhul kade, por mekasit nuk e lejuan të hynte në Mekë, derisa ra dakord që vitin vijues të qëndrojë vetëm tri ditë. Teksa po e shkruanin marrëveshjen dhe shkruan: “Muhamedi, i Dërguari i Allahut ﷺ, ka rënë dakord që...”, idhujtarët thanë: “Nuk pranojmë! Sikur ta dinim se ti je i Dërguari i Allahut, nuk do të të pengonim (për të hyrë), por ti je Muhamedi, i biri i Abdullahut.” Pejgamberi ﷺ u tha: “Unë jam i Dërguari i Allahut, njëkohësisht Muhamed ibn Abdullahu.” Pastaj i tha Aliut: “Fshije (pjesën) : i Dërguari i Allahut!” - Jo, betohem në Allahun se kurrë nuk e fshij emrin tënd, - iu përgjigj Aliu. Pejgamberi ﷺ e mori letrën, edhe pse nuk e njihte shkrimin, shkroi: “Muhamed ibn Abdullahu ka rënë dakord që: të mos hyjë në Mekë me armë përveçse me shpatë në këllëf; të mos marrë me vete asnjë banor të saj, që dëshiron ta pasojë; si dhe të mos ndalojë asnjë shok të vetin të rikthehet në të (Mekë).” (Vitin e ardhshëm) pasi hyri në Mekë dhe kaloi afati i caktuar, idhujtarët vajtën tek Aliu dhe i thanë: “Thuaji shokut tënd të largohet prej këtu, sepse afati ka përfunduar.” Kur Pejgamberi ﷺ doli, e bija e Hamzait iu vu prapa duke i thënë: “O xhaxha, o xhaxha!” Aliu shkoi dhe e mori për dore e i tha Fatimes: “Ja, bija e xhaxhait tënd. Merre me vete.” Aliu, Zejdi dhe Xhaferi u grindën për të. Aliu tha: “Unë jam më meritori për ta marrë, sepse është bija e xhaxhait tim.” Xhaferi i tha: “Ajo është bija e xhaxhait tim dhe tezja e saj është gruaja ime.” Zejdi tha: “Ajo është bija e vëllait tim.” Kështu, Pejgamberi ﷺ vendosi që ta marrë tezja e vet dhe tha: “Tezja është në pozitën e nënës.” Aliut i tha: “Ti je pjesë imja dhe unë jam pjesë jotja.” Xhaferit iu drejtua: “Më ke ngjarë në dukje dhe moral.” Ndërkaq, Zejdit i tha: “Ti je vëllai ynë dhe i çrobëruari ynë.” Aliu i tha Pejgamberit ﷺ: “A po e marton të bijën e Hamzait?” - “Ajo është e bija e vëllait tim nga qumështi”, - tha Pejgamberi ﷺ.””