“Kutejbe na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Amër ibn Dinari, e këtij i ka rrëfyer Hasen ibn Muhamedi, e ky e ka dëgjuar Ubejdullah ibn Ebu Rafiun se Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ më dërgoi mua, Zubejrin dhe Mikdadin e na tha: “Shkoni në kopshtin Hah, ku do të gjeni një grua hipur në deve, e cila mban një letër. Merrjani atë letër!” Ne u nisëm dhe kuajt tanë shpejtuan, derisa arritëm te kopshti, ku e takuam gruan hipur në deve dhe i thamë: “Na jep letrën!” Ajo tha: “Nuk kam asnjë letër.” Ne i thamë: “Ose na jep letrën, ose do të të zhveshim (për të të kontrolluar).” Atëherë, ajo e nxori letrën nga lidhësja (e flokut) , të cilën ia dërguam të Dërguarit të Allahut ﷺ. Letra ishte nga Hatib ibn Ebu Beltai, dërguar disa banorëve idhujtarë mekas, ku i informonte për disa plane të të Dërguarit të Allahut ﷺ. I Dërguari i Allahut ﷺ i tha: “O Hatib, ç'është kjo?” Ai iu përgjigj: “O i Dërguari i Allahut, mos u ngut të më dënosh, sepse unë kam qenë person i huaj në Mekë, - pra, ishte aleat, e jo nga mesi i tyre. - Ndërkaq, muhaxhirët që janë me ty, kanë farefis në Mekë, të cilët ua mbrojnë familjet dhe pasuritë. Prandaj, meqë nuk e gëzoj këtë të drejtë nga ana farefisnore, doja të fitoja përkrahjen e tyre, që të m'i mbrojnë të afërmit e mi. Këtë nuk e kam bërë me synim për të dalë nga feja, as jam pajtuar me kufrin pas Islamit.” I Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Jua tha të vërtetën.” Omeri tha: “O i Dërguari i Allahut, më lejo t'ia pres kokën këtij hipokriti!” Pejgamberi ﷺ i tha: “Ai ka qenë pjesëmarrës në Bedër. E ku e di ti? Allahu i ka parë pjesëmarrësit në Bedër dhe u ka thënë: “Punoni ç'të doni, sepse jua kam falur mëkatet.” Atëherë Allahu e zbriti suren: “O ju që besuat, nëse keni dalë (prej vendlindjes) për hir të luftës për rrugën Time, duke kërkuar kënaqësinë Time ndaj jush, mos e zini mik armikun Tim dhe armikun tuaj, duke shprehur ndaj tyre dashuri, kur dihet se ata mohuan të vërtetën që ju erdhi juve. Ata e dëbojnë të Dërguarin dhe ju, sepse i besoni Allahut, Zotit tuaj, e ju fshehurazi u ofroni miqësi, po Unë më së miri e di atë që e keni fshehur dhe atë që e keni publikuar. Ai që punon ashtu nga pala juaj, e ka humbur rrugën e drejtë.” (Mumtehine, 1)”