“Jusuf ibn Musai na ka thënë: Na ka rrëfyer Ebu Usame, e ky nga Ismail ibn Ebu Halidi, e ky nga Kajsi se Xheriri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “ I Dërguari i Allahut ﷺ më tha: “A nuk ma heq qafe Dhul Halasën?” - Po, - i thashë. Kështu, marshova me njëqind e pesëdhjetë kalorës të fisit ahmes, të cilët mbanin kuaj. Atëkohë, nuk mund të qëndroja në kalë, gjë që ia përmenda Pejgamberit ﷺ, andaj Pejgamberi ﷺ më goditi me dorë në gjoks, saqë më mbetën gjurmët e dorës së tij në gjoks dhe tha: “O Allah, forcoje, udhëzoje dhe bëje udhëzues!” Pas kësaj nuk jam rrëzuar nga kali asnjëherë. Dhu Halasa ishte një shtëpi në Jemen, e fisit hatham dhe bexhile. Aty kishte idhuj që adhuroheshin. Asaj i thoshin Qabe. Kështu, Xheriri shkoi, e dogji dhe e shkatërroi. Kur arriti në Jemen, Xheriri aty hasi një njeri që parashikonte fatin me shigjeta. Dikush i tha: “I dërguari i Pejgamberit ﷺ është këtu e, nëse ai të kap, do të ta heqë kokën.” Një ditë, teksa ai parashikonte fatin me shigjeta, Xheriri u ndal tek ai dhe i tha: “Ose do t'i thyesh ato dhe të thuash “La ilahe il-lallah”, ose do të ta heq kokën.” Ai i theu shigjetat dhe e tha shahadetin. Pastaj, Xheriri dërgoi një lajmëtar, që quhej Ebu Erta, te Pejgamberi ﷺ për ta përgëzuar për lajmin. Kur lajmëtari shkoi, i tha: “O i Dërguari i Allahut, betohem në Atë, që të ka dërguar me të vërtetën se, kur jam nisur këtej, (Dhu Halasën) e kam lënë si devenë e shkretë.” Pastaj, Pejgamberi ﷺ i bekoi pesë herë kuajt dhe kalorësit e fisit ahmes.””