“Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky e ka dëgjuar Ibn Munkedirin se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ më pati thënë tri herë: “Sikur të vinte pasuria e Bahrejnit, do të të jepja kaq e kaq.” Por, pasuria e Bahrejnit nuk arriti deri pas vdekjes së të Dërguarit të Allahut ﷺ. Kur arriti, Ebu Bekri dërgoi një lajmëtar të thërrasë: “Ai, të cilit Pejgamberi ﷺ i ka pasur borxh ose i ka premtuar diçka, le të vijë!” Unë shkova tek Ebu Bekri dhe i tregova se Pejgamberi ﷺ më pati thënë tri herë: “Sikur të vinte pasuria e Bahrejnit, do të të jepja kaq e kaq.” Kështu, ai (Ebu Bekri) më dha. Xhabiri tregon: “Kur shkova për ta takuar Ebu Bekrin dhe i kërkova, ai (në fillim) nuk më dha. Shkova sërish, por nuk më dha. Shkova për së treti, por nuk më dha. Atëherë, i thashë: “Erdha herën e parë, por nuk më dhe asgjë. Erdha sërish, por prapë nuk më dhe. Erdha për së treti, por nuk më dhe. Ose më jep, ose po tregohesh koprrac në raport me mua.” Ai më tha: “Po thua se po tregohem koprrac në raport me ty? Vallë, ka sëmundje më të keqe se koprracia?!” - këtë e përsëriti tri herë, pastaj vazhdoi: “Sa herë që ke ardhur, kam dashur të të jap (por nuk kam mundur).” Amri transmeton nga Muhamed ibn Aliu: “Xhabir ibn Abdullahu ka thënë: “Shkova tek Ebu Bekri dhe ai më tha: “Numëroji!” Kur i numërova, më dolën pesëqind (dinarë). Pastaj më tha: “Merr edhe dy herë aq.””