“Muhamedi më ka thënë: Na ka treguar Surejxh ibn Numani, e këtij i ka treguar Fulejhu, e ky nga Nafiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Vitin e Çlirimit të Mekës, Pejgamberi ﷺ erdhi i hipur mbi Kasva (devenë e tij) së bashku me Usamen. Me të ishin edhe Bilali e Othman ibn Talhai. Pejgamberi ﷺ e uli devenë te Qabeja e i tha Othmanit: “Na sill çelësin (e Qabesë) !” Ai e solli çelësin dhe ia hapi atij derën. Pejgamberi ﷺ së bashku me Usamen, Bilalin dhe Othmanin hynë (në Qabe) dhe e mbyllën derën. Aty qëndroi një pjesë goxha të gjatë të ditës dhe, kur doli, njerëzit nxitonin kush të hynte brenda, por unë isha i pari që hyra. Aty e gjeta Bilalin të qëndronte në këmbë mbrapa derës dhe e pyeta: “Ku u fal i Dërguari i Allahut ﷺ?” - U fal mes atyre dy shtyllave të para, - tha Bilali. Qabeja ishte e ngritur mbi gjashtë shtylla, në dy rreshta. Ai u fal mes dy shtyllave të rreshtit të përparmë, derën e Qabesë e la pas shpine dhe u kthye nga pjesa e përparme kur hyn në Qabe, mes tij dhe murit. Abdullahu thotë: “Harrova ta pyesja sa rekate kishte falur. Në vendin ku ishte falur, ishte një mermer i kuq.””