“Seid ibn Ufejri na ka thënë: Më ka treguar Lejthiu, e këtij i ka treguar Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka rrëfyer Ubejdullah ibn Abdullah ibn Utbe ibn Mesudi se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), gruaja e Pejgamberit ﷺ, tregon: “Kur të Dërguarit të Allahut ﷺ iu rëndua dhe iu ashpërsua sëmundja, u kërkoi leje grave të tij që të mjekohej në shtëpinë time. Ato i dhanë leje. Një ditë, doli duke e mbajtur dy burra (për krahësh), ndërsa këmbët e tij i shkonin zvarrë. Qëndronte mes Abasit dhe një burri tjetër. Ubejdullahu thotë: “I tregova Abdullah ibn Abasit për këtë që Aishja kishte thënë, e në atë rast ai më tha: “Vallë, e di kush ishte burri tjetër, që nuk e ka përmendur Aishja?” - Jo, - i thashë. - Ai ishte Aliu, - tha Ibn Abasi. Aishja, gruaja e Pejgamberit ﷺ, tregon: “Kur i Dërguari i Allahut ﷺ erdhi në shtëpinë time dhe iu shtuan dhimbjet, tha: “Më lani me ujë nga shtatë enë të cilave nuk u është zgjidhur gryka, me shpresë që (të kthjellem e) t'i porosis njerëzit.” Kështu, ne e ulëm në një vaskë të Hafsës, gruas së të Dërguarit të Allahut ﷺ, dhe filluam t'i hidhnim ujë prej enëve në fjalë, derisa na bëri me dorë: “Në rregull është, mjafton.” Pastaj, doli te njerëzit, ua fali namazin dhe u ligjëroi.””