“Is'haku më ka thënë: Na ka rrëfyer Bishr ibn Shuajb ibn Ebu Hamzai, e këtij i ka treguar babai i tij, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Abdullahu, i biri i Kab ibn Malik Ensariut, ndërkaq Kab ibn Maliku ka qenë prej atyre tri vetave të cilëve iu pat pranuar pendimi, se Abdullah ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Kur Ali ibn Ebu Talibi doli nga dhoma e të Dërguarit të Allahut ﷺ, i cili po përjetonte sëmundjen e vdekjes, njerëzit i thanë: “O Ebu Hasen, si është i Dërguari i Allahut ﷺ?” - Është më mirë, elhamdulilah! - tha Aliu. Pastaj, Abas ibn Abdulmutalibi e mori për dore dhe i tha: - Për Allahun, pas tri ditësh do të jesh rob i shkopit (do të udhëhiqesh nga tjetërkush), kurse unë betohem në Allahun se po vërej se i Dërguari i Allahut ﷺ do të vdesë nga kjo sëmundje, sepse i njoh fytyrat e benu abdulmutalibëve kur janë në prag të vdekjes. Eja të shkojmë tek i Dërguari i Allahut ﷺ ta pyesim se kujt i takon kjo çështje (hilafeti). Po na takoi neve, atëherë e marrim vesh, po qe se ia lë dikujt tjetër, flasim me të që të na e lërë neve.” Aliu tha: “Për Allahun, nëse ia kërkojmë këtë (hilafetin) të Dërguarit të Allahut ﷺ dhe ai nuk na e jep, atëherë, pas tij, as njerëzit nuk do të na e japin. Andaj, betohem në Allahun se nuk do t'ia kërkoj këtë gjë të Dërguarit të Allahut ﷺ.””