“Is'haku më ka thënë: Na ka treguar Revhu, e këtij i ka treguar Shibli, e ky nga Ibn Ebu Nexhihu se Muxhahidi, për ajetin: “Gratë të cilave iu vdes burri...”, (Bekare, 234) ka thënë: “Pritja e përmendur në këtë ajet ka qenë e detyrueshme të bëhet në shtëpinë e burrit. Atëherë Allahu e zbriti ajetin: “Ata prej jush, të cilëve iu është afruar vdekja dhe kanë gra për të lënë pas, duhet t'u lënë atyre në testament mjetet për të jetuar një vit, pa i detyruar të dalin nga shtëpia. Por, nëse ato vetë e braktisin shtëpinë, ju nuk jeni përgjegjës për çfarë bëjnë me jetën e tyre sipas rregullave...” (Bekare, 240) Allahu ia ka plotësuar asaj një vit të tërë, duke i lënë shtatë muaj e njëzet net si të drejtë të testamentit. Nëse ajo dëshiron, qëndron duke shfrytëzuar të drejtën e testamentit, por edhe mund të dalë me dëshirën e saj. Në këtë aludon ajeti: “... pa i detyruar të dalin nga shtëpia. Por, nëse ato vetë e braktisin shtëpinë, ju nuk jeni përgjegjës për çfarë bëjnë me jetën e tyre...” (Bekare, 240) Ndërkaq, koha bazë e pritjes (katër muaj e dhjetë ditë) është e obliguar për të. Ibn Abasi ka thënë: “Ky ajet e ka shfuqizuar normën e kalimit të kohës së pritjes në shtëpinë e burrit të saj duke i dhënë të drejtën që atë kohë ta kalojë ku të dëshirojë. Në këtë aludon pjesa e ajetit: “... pa i detyruar të dalin nga shtëpia...” (Bekare, 240) Atai ka thënë: “Pra, nëse ajo dëshiron, kohën e pritjes mund ta kalojë në shtëpinë e burrit të vet, duke shfrytëzuar të drejtën e saj në testamentin e lënë. Përndryshe, nëse dëshiron, mund të dalë, duke u argumentuar me ajetin: “... Por, nëse ato vetë e braktisin shtëpinë, ju nuk jeni përgjegjës për çfarë bëjnë me jetën e tyre...” (Bekare, 240) Pastaj erdhi urdhri i trashëgimisë, i cili e shfuqizoi obligueshmërinë. Muhamed ibn Jusufi ka thënë: “Këtë na ka treguar Verkai nga Ibn Ebu Nexhihu, e ky nga Muxhahidi. Po ashtu, nga Ibn Ebu Nexhihu, e ky nga Atai, transmetohet se Ibn Abasi ka thënë: “Ky ajet ka shfuqizuar qëndrimin e saj në shtëpinë e burrit, por mund të qëndrojnë ku të dëshirojë, për shkak të fjalës së Allahut: “... pa i detyruar të dalin nga shtëpia...” (Bekare, 240) ngjashëm.””