“Nasr ibn Ali ibn Nasri na ka thënë: Na ka treguar Abdullah ibn Davudi, e ky nga Ibn Xhurejxhi se Ibn Ebu Mulejke tregon për dy gra se, teksa po punonin së bashku në një shtëpi, njëra doli me një fëndyell të ngulur në dorë dhe pretendonte se këtë ia kishte bërë gruaja tjetër. Kështu, i dërguan tek Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili tha: “I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Sikur njerëzve t'u jepej në bazë të pretendimeve të tyre, do të shkonin gjaqet dhe pasuritë e disa njerëzve.” Rikujtojani asaj Allahun dhe lexojani këtë ajet: “Vërtet, ata që e shkëmbejnë premtimin dhe betimin e tyre ndaj Allahut me një vlerë të vogël...” (Ali Imran, 77) Kështu, e këshilluan dhe ajo pranoi. Ibn Abasi thotë se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Betimin duhet ta bëjë i akuzuari.””