“Ibrahim ibn Musai transmeton nga Hishami, e ky nga Mameri. Abdullah ibn Muhamedi më ka thënë: Na ka treguar Abdurrezaku, e këtij i ka rrëfyer Mameri, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Ubejdullah ibn Abdullah ibn Utbe se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se e ka dëgjuar Ebu Sufjanin duke thënë: “Gjatë kohës sa ishim në marrëveshje paqeje me të Dërguarin e Allahut ﷺ, shkova në Sham dhe, duke qenë atje, Herakliut i kishin sjellë një letër prej Pejgamberit ﷺ. Letrën e kishte sjellë Dihje Kelbiu dhe ia kishte dorëzuar prijësit të Busrasë, i cili ia solli Herakliut. Ai kishte pyetur: “Mos vallë ndodhet ndokush nga populli i këtij burri që pretendon se është pejgamber?” I thanë: “Po.” Kështu, mua dhe disa kurejshë na ftuan të shkojmë. Kur shkuam aty, Herakliu na uli para vetes dhe na pyeti: “Cili prej jush është më i afërt në farefisni me këtë burrë, i cili thënka se është pejgamber?” I thashë: “Unë.” Më thirri të ulem pranë tij, ndërsa shokët e mi i ulën mbrapa meje, e thirri përkthyesin e vet dhe tha: “Thuaju shokëve të tij se këtij njeriu do t'i bëj disa pyetje lidhur me të ashtuquajturin pejgamber dhe, nëse thotë të pavërteta, le ta përgënjeshtrojnë.” Këtu Ebu Sufjani shtoi: “Betohem në Allahun se, sikur të mos ishte turpi se do të më përgënjeshtronin sheshazi, do të gënjeja për të (Pejgamberin ﷺ).” Pastaj i tha përkthyesit: “Pyete se çfarë pozite ka familja e tij në mesin tuaj?” I thashë se i përkiste një familjeje fisnike. - A ka qenë mbret ndonjë paraardhës i tij? - tha ai. - Jo, - i thashë. - A e keni akuzuar ndonjëherë për gënjeshtër para se të pretendonte pejgamberinë? - tha ai. - Jo, - i thashë. - A e pasojnë fisnikët apo të dobëtit? - pyeti ai. - Të dobëtit, - i thashë. - (Pasuesit e tij) vijnë duke iu shtuar a duke iu pakësuar? - pyeti ai. - Përkundrazi, sa vijnë e i shtohen, - i thashë. - A ka ndodhur që dikush ta lërë fenë e tij për një fe tjetër, pasi të ketë hyrë në të? - pyeti ai. - Jo, - i thashë. Herakliu tha: “A e keni luftuar?” - Po, - i thashë. - Si kanë qenë këto beteja? - pyeti ai. - Nuk ka pasur triumf të njëanshëm në vazhdimësi: herë ai na ka mundur ne, herë ne atë, - i thashë unë. - A tradhton? - pyeti ai. - Jo, megjithëse tani kemi armëpushim dhe nuk e dimë se çfarë do të veprojë më tutje, - thashë unë. Ebu Sufjani thotë: “Përveç këtij shansi, nuk pata rast tjetër që të fusja ndonjë fjalë kundër tij.” - A ka pretenduar dikush para tij këtë gjë (pejgamberinë)? - tha Herakliu. - Jo, - i thashë. Atëherë Herakliu iu drejtua përkthyesit dhe i kërkoi të m'i thoshte këto fjalë: “Pak më parë të pyeta rreth statusit të familjes së tij dhe më tregove se është prej një familjeje fisnike. Kështu janë të gjithë të dërguarit: zgjidhen nga familjet më fisnike të popujve të tyre. Të pyeta në mos dikush prej baballarëve të tij ka qenë mbret, e ti e mohove. Sikur dikush prej baballarëve të tij të kishte qenë mbret, do të kisha thënë se ky burrë kërkuaka ta rikthejë mbretërinë e baballarëve të vet. Pastaj të pyeta se a pasohet nga fisnikët e shoqërisë apo nga të dobëtit, e më the se nga të dobëtit, ndërkaq dihet mirëfilli se pikërisht ata janë pasuesit e të dërguarve. Të pyeta nëse e keni akuzuar më herët për gënjeshtër, e ti the që jo. Unë e di mirë se ai që nuk gënjen për njerëzit, asnjëherë nuk ndodh që të gënjejë për Allahun. Të pyeta nëse dikush prej tyre dezerton nga feja e tij për diçka më të mirë, e më the që nuk ndodh, e kështu është natyra e imanit, kur drita e tij depërton në zemra. Të pyeta se a po shtohen apo po pakësohen pasuesit e tij, e më tregove se dita-ditës sa vijnë e shtohen, e kështu qëndron çështja e imanit, derisa të plotësohet. Të pyeta nëse e keni luftuar dhe ti the që po dhe se kjo luftë mes jush është e ndërsjellë: herë ai fiton, herë ju. Kështu qëndron puna me pejgamberët, sprovohen, pastaj, në fund, atyre u takon fitorja. Të pyeta se a tradhton ndonjëherë, e ti m'u përgjigje negativisht. Kështu, janë të dërguarit, kurrë nuk tradhtojnë. Pastaj të pyeta se a ka pretenduar pejgamberinë dikush prej jush më parë, e ti më the jo. Sikur të kishte pretenduar dikush para tij pejgamberinë, do të kujtoja se ky burrë thjesht pasuaka dikë prej paraardhësve të tij. Pastaj më pyeti: “Çfarë ju urdhëron?” I thashë: “Na urdhëron të falim namazin e të japim zekatin, t'i ruajmë lidhjet farefisnore dhe të jemi të ndershëm.” Më tha: “Nëse këto që po më thua për të janë të vërteta, ai është pejgamber. E dija se do të paraqitej, por nuk prisja të ishte nga mesi juaj. Sikur ta dija me siguri se do të mund të arrija tek ai, do të nisesha për ta takuar. E sikur të isha pranë tij, pa dyshim se do t'ia laja edhe këmbët. Sundimi i tij do të arrijë edhe tek këmbët e mia.” Pas kësaj, e kërkoi letrën e dërguar prej Pejgamberit ﷺ dhe e lexoi. Në letër shkruante: "Në emër të Allahut, Mëshirëplotit, Mëshirëbërësit Prej Muhamedit, të Dërguarit të Allahut, për Herakliun, mbretin e Romës. Paqja qoftë mbi pasuesit e udhëzimit. E, më pas; Po të thërras me thirrjen islame, nënshtrohu (pranoje Islamin), në mënyrë që të shpëtosh. Nënshtrohu, që Allahu të ta japë shpërblimin të dyfishtë. E, nëse kundërshton, atëherë mëkatet e popullit ariusian (pasuesve të tu) do të jenë barrë jotja. “O ithtarët e Librit, ejani të biem në një fjalë të përbashkët mes nesh dhe jush: se do të adhurojmë vetëm Allahun, se nuk do t'i shoqërojmë Atij asgjë (në adhurim) dhe se njëri-tjetrin nuk do ta mbajmë për zot, në vend të Allahut! Nëse ata nuk pranojnë, atëherë thuaju: “Dëshmoni se ne i jemi nënshtruar Allahut!” (Ali Imran, 64) Ebu Sufjani thotë: “Kur Herakliu mbaroi së lexuari letrën, shpërtheu një zhurmë e madhe në oborrin mbretëror dhe filluan të ngriheshin zërat, kurse ne na nxorën prej aty. Pastaj u thashë shokëve të mi: “Çështja e Muhamedit qenka bërë kaq e madhe, saqë atij iu frikësuaka edhe mbreti i bizantinëve.” Që atëherë u binda në vete se ai (Muhamedi) do të fitonte, pastaj Allahu më udhëzoi në Islam (ku dhe e shfaqa atë bindje).” Zuhriu tregon: “Herakliu i thirri të gjitha kokat e Romës në një shtëpi të veten dhe u tha: “O romakë, a jeni të interesuar për shpëtim, udhëzim të përjetshëm dhe përforcim të sundimit tuaj?” Ata zunë të tërhiqeshin sikurse turma e gomarëve të egër drejt portës, të cilën e hasën të mbyllur. Atëherë Herakliu tha: “M'i ktheni këtu.” Pastaj u tha: “Unë vetëm desha të provoj qëndrueshmërinë në besimin tuaj dhe pashë atë që dëshiroja.” Pas kësaj, të gjithë i ranë në sexhde dhe ishin të kënaqur me të.””