“Ismaili na ka thënë: Më ka treguar Maliku, e ky nga Is'hak ibn Abdullah ibn Ebu Talhai se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ndër ensarët e Medinës Ebu Talhai ka pasur më së shumti hurma, pasuria më e dashur e të cilit ka qenë kopshti Bejruha, që ndodhej përballë xhamisë. Herë pas here i Dërguari i Allahut ﷺ hynte dhe pinte nga uji i tij i freskët. Kur zbriti ajeti: “Kurrsesi nuk do të arrini mirësinë e lartë, përderisa të mos ndani një pjesë nga ajo që e doni...”, (Ali Imran, 92) Ebu Talhai shkoi te Pejgamberi ﷺ dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut, Allahu i Madhëruar po thotë: “Kurrsesi nuk do të arrini mirësinë e lartë, përderisa të mos ndani një pjesë nga ajo që e doni...” (Ali Imran, 92) Ndërkaq, pasuria ime më e dashur është Bejruha. Po e jap lëmoshë për Allahun, duke shpresuar mirësinë dhe shpërblimin e saj tek Allahu. E ti, o i Dërguari i Allahut, jepe ku të udhëzon Allahu. I Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Të lumtë! Kjo është pasuri fitimprurëse! Kjo është pasuri fitimprurëse! Të dëgjova çfarë the. Unë propozoj t'ua japësh farefisit.” Ebu Talhai tha: “Ashtu do t'ia bëj, o i Dërguari i Allahut!” Kështu, Ebu Talhai (kopshtin) ua ndau farefisit dhe djemve të xhaxhait të tij. Abdullah ibn Jusufi dhe Revh ibn Ubade kanë përdorur shprehjen “rabih" (رابح) në vend të “rajih" (رايح) duke pasur për qëllim: pasuri fitimprurëse. Jahja ibn Jahjai më ka thënë: “Kam lexuar në prani të Malikut: (مال رايح) “malun rajih": pasuri fitimprurëse.””