“Abdullah ibn Muhamedi na ka thënë: Na ka treguar Othman ibn Omeri, e këtij i ka rrëfyer Junusi, e ky nga Zuhriu, e ky nga Abdullah ibn Kab ibn Maliku se Kabi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, duke qenë në xhami, i kërkoi Ibn Ebu Hadredit t'i kthente një borxh. (Mes tyre shpërtheu një zënkë, ndaj) u ngritën zërat, saqë i Dërguari i Allahut ﷺ i dëgjoi në shtëpinë e vet. Doli, e ngriti perden e derës dhe thirri: - “O Kab!” - Të përgjigjem, o i Dërguari i Allahut! - tha Kabi. - “Falja një pjesë të borxhit!” - dhe bëri me shenjë: gjysmën. - Atëherë, po ia fal, o i Dërguari i Allahut! - “Ngrihu dhe ktheja borxhin (e mbetur) !” - i tha tjetrit.”