“Muhamed ibn Abdulazizi na ka treguar: Na ka rrëfyer Ebu Omer Hafs ibn Mejsera nga Zejd ibn Eslemi, e ky nga Ata ibn Jesari se Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Në kohën e Pejgamberit ﷺ, disa njerëz pyetën: “O i Dërguari i Allahut, a do ta shohim Zotin tonë Ditën e Kiametit?” Ai iu përgjigj: “Po . A shtyheni për ta parë Diellin në mesditë, kur shkëlqen dhe nuk ka re?” Ata thanë: “Jo.” Ai vazhdoi: “Po Hënën e plotë, në mes të muajit, kur shndrit dhe nuk ka re, ju pengon diçka për ta parë?” Ata thanë sërish: “Jo.” Ai vazhdoi: “Kështu pra, Ditën e Kiametit nuk do të pengoheni për ta parë Allahun e Madhërishëm siç nuk pengoheni për ta parë Diellin dhe Hënën. Ditën e Kiametit, dikush do të thërrasë: “Çdo umet le ta ndjekë atë që ka adhuruar!” Kështu, të gjithë ata që adhuronin dikë tjetër pos Allahut, bie fjala, idhuj e puta, bien në Zjarr dhe mbeten vetëm ata që e adhuronin Allahun, bamirës e mëkatarë, si dhe disa që kanë mbetur nga radhët e ithtarëve të Librit. Thirren hebrenjtë dhe u thuhet: “Çfarë adhuronit?” Ata përgjigjen: “E adhuronim Uzejrin, të birin e Allahut.” U thuhet: “Po gënjeni! Allahu nuk ka bashkëshorte e as fëmijë. Çfarë dëshironi?” Ata thonë: “Zoti ynë, etja na ka kapluar, andaj na furnizo me pije!” U bëhet me shenjë: “A nuk shkoni të pini (atje) ?” Kështu, ata tubohen drejt Zjarrit, i cili shkatërron çdo gjë brenda tij, ndërsa atyre u duket si mirazh uji, andaj bien në të. Pastaj thirren të krishterët dhe u thuhet: “Çfarë adhuronit?” Ata përgjigjen: “E adhuronim Isain, birin e Allahut.” U thuhet: “Po gënjeni! Allahu nuk ka bashkëshorte. Çfarë dëshironi?” Dhe u ndodh ajo që u ndodh të parëve. Në fund, mbesin vetëm ata që e adhuronin Allahun, bamirës e mëkatarë. Atëherë u vete Zoti i botëve, me pamje ndryshe nga hera e parë dhe u thuhet: “Çfarë po prisni? Çdo umet duhet ta ndjekë atë që e ka adhuruar.” Ata thonë: “Jemi distancuar nga njerëzit në dynja, atëherë kur kishim nevojë për ta dhe nuk i shoqëruam, e tani po e presim Zotin tonë që e adhuronim.” Ai u thotë: “Unë jam Zoti juaj.” Ata thonë dy-tri herë: “Ne nuk i shoqërojmë Allahut askënd!””