“Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Muhamed ibn Xhaferi, e këtij i ka rrëfyer Mameri, e ky nga Zuhriu se Urve ibn Zubejri tregon se Zubejri paditi një burrë ensar te Pejgamberi ﷺ për vadën e ujit (me të cilën i ujitnin hurmat). Pejgamberi ﷺ i tha Zubejrit: “O Zubejr, ujite kopshtin tënd, pastaj ujin lëshoja fqinjit.” Por, ensariu tha: “O i Dërguari i Allahut, a pse është djali i hallës sate?” Ndërkohë, Pejgamberit ﷺ i ndryshoi fytyra dhe tha: “Zubejr, ujite kopshtin tënd dhe bllokoje ujin derisa kopshti të ngopet mirë, pastaj ujin lëshoja fqinjit!” Pra, i Dërguari i Allahut ﷺ gjykoi duke ia dhënë Zubejrit atë që i takonte sipas dispozitës së qartë, pasi që ensariu e zemëroi, ndërkohë, pak më parë, e kishte porositur diçka që u bënte dobi të dyja palëve.” Zubejri thotë: “Së këndejmi, mendoj se mu për këtë rast ka zbritur ajeti në vijim: “Jo, për Zotin tënd, ata nuk do të jenë besimtarë të vërtetë, derisa të të marrin ty për gjyqtar për kundërshtitë mes tyre...” (Nisa, 65)”