“Ismail ibn Abdullahu na ka thënë: Më ka treguar Ibrahim ibn Sadi, e ky nga Salihu, e ky nga Ibn Shihabi se Sehël ibn Sad Saidiu tregon: “E pashë Mervan ibn Hakemin të ulur në xhami, andaj shkova dhe u ula me të. Ai na tregoi se Zejd ibn Thabiti (Allahu qoftë i kënaqur me të!) i ka thënë: “Pejgamberi ﷺ më diktoi të shkruaj (këtë ajet): “Nuk janë të njëjtë ata besimtarë që rrinë në shtëpitë e tyre me ata që luftojnë në rrugën e Allahut...” Por, teksa Pejgamberi ﷺ po ma diktonte, Ibn Umi Mektumi erdhi dhe tha: “O i Dërguari i Allahut! Betohem në Allahun se, sikur të mund të luftoja përkrah teje, do ta bëja”, - sepse ai ishte i verbër. Kështu, Pejgamberit ﷺ filloi t'i shpallej sërish, ndërkohë gjuri i tij ishte mbi kofshën time, i cili u rëndua aq shumë, saqë mendova se do të ma këpusë kofshën. Pasi Pejgamberi ﷺ u kthjell, Allahu i shpalli (shtesën): “... përveç të paaftëve...” (Nisa, 95)”