“Jahja ibn Sulejmani na ka thënë: Më ka treguar Ibn Vehbiu, e këtij i ka rrëfyer Amri, e këtij i ka treguar Abdurrahman ibn Kasimi, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Në Bejda, teksa po ktheheshim në Medinë, më humbi një qafore . I Dërguari i Allahut ﷺ e ndali devenë dhe zbriti. Më pas, u shtri të dremiste dhe kokën e vendosi në prehrin tim. Ebu Bekri erdhi dhe më shtypi në kraharor e më tha: “I vonove njerëzit për një gjerdan!” Unë rrija si e vdekur (pa lëvizur) për të mos e trazuar të Dërguarin e Allahut ﷺ, edhe pse më dhembte. Më vonë, Pejgamberi ﷺ u zgjua dhe, kur erdhi koha e namazit të sabahut, ata kërkuan ujë, por nuk gjetën. Atëherë zbriti ajeti: “O besimtarë! Kur doni të falni namaz, lani fytyrën dhe duart deri në bërryla, kurse kokën fshijeni me dorë të lagët; lani edhe këmbët deri në nyja. Nëse jeni të papastër (si pasojë e marrëdhënieve bashkëshortore ose e derdhjes së farës), pastrohuni (duke u larë krejtësisht)! Por, në qoftë se jeni të sëmurë (që mund t'ju dëmtojë uji) ose gjendeni në udhëtim, ose ndonjëri nga ju vjen pas kryerjes së nevojës fiziologjike, ose nëse keni pasur marrëdhënie me bashkëshortet e nuk gjeni ujë, atëherë merrni tejemum me dhé të pastër dhe fshini fytyrat e duart me të. Allahu nuk dëshiron t'ju krijojë ndonjë vështirësi, por dëshiron t'ju pastrojë dhe t'i plotësojë dhuntitë e Tij ndaj jush, që të jeni falënderues.” (Maide, 6) Në atë rast, Usejd ibn Hudajri tha: “Allahu i ka begatuar njerëzit për shkakun tuaj, oj familja e Ebu Bekrit! Ju jeni begati për njerëzit.””