“Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Ibrahim ibn Sadi, e ky nga Salih ibn Kejsani, e ky nga Ibn Shihabi se Seid ibn Musejebi ka thënë: “Behira ishte deveja, mjeljen e së cilës arabët ua dedikonin idhujve të tyre, prandaj askujt nuk i lejohej ta milte. Saibe ishte deveja e dedikuar për idhuj në rast zotimi, prandaj nuk përdorej për bartje. Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “E kam parë Amër ibn Amir Huzaiun duke tërhequr zvarrë zorrët e tij në Zjarr. Ai ka qenë i pari që devetë ua ka dedikuar idhujve.” Vesila quhej deveja që në dy lindjet e para lindte femra. Pra, nuk lindte deve meshkuj mes këtyre (dy lindjeve). Kështu, arabët e dedikonin për idhujt e tyre. Hami quhej deveja mashkull që mbarste një numër të madh devesh femra dhe, pasi përfundonte periudhën e tij të mbarsjes, e dedikonin për idhuj dhe nuk e përdornin për bartje. Ebu Jemani ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi nga Zuhriu, e ky e ka dëgjuar Seidin të rrëfejë këtë nga Ebu Hurejra: “E kam dëgjuar Pejgamberin ﷺ ... ngjashëm (me hadithin e lartpërmendur).” Po ashtu këtë e transmeton Ibn Hadi nga Ibn Shihabi, e ky nga Seidi, e ky nga Ebu Hurejra: “E kam dëgjuar Pejgamberin ﷺ.””