“Ibrahim ibn Musai më ka thënë: Na ka rrëfyer Hishami, e këtij i ka rrëfyer Ibn Xhurejxhi, e këtij i ka rrëfyer Sulejman Ahveli se Muxhahidi tregon se e pyeti Ibn Abasin (Allahu qoftë i kënaqur me të!): “A ka sexhde leximi në suren Sad?” Ai tha: “Po”, dhe i lexoi ajetet: “Ne i dhuruam atij Is'hakun dhe Jakubin. Që të dy këta i udhëzuam në rrugën e drejtë, ashtu siç patëm udhëzuar më parë Nuhun. Ndër pasardhësit e tij Ne udhëzuam Davudin, Sulejmanin, Ejubin, Jusufin, Musain dhe Harunin. Kështu i shpërblejmë punëmirët. Ne udhëzuam edhe Zekerijanë, Jahjain, Isain, Iljasin, të gjithë këta kanë qenë nga njerëzit e mirë. Po ashtu, udhëzuam edhe Ismailin, Eljesain, Junusin dhe Lutin, secilin prej tyre e ngritëm mbi të gjithë njerëzit. Ne zgjodhëm dhe udhëzuam në rrugë të drejtë edhe disa nga paraardhësit, pasardhësit dhe vëllezërit e tyre. Ky është udhëzimi i Allahut, të cilin Ai ia jep kujt të dojë nga robërit e Vet. Por, nëse ata adhurojnë zota të tjerë, do t'u humbë çdo gjë nga ajo që kanë bërë. Këta janë ata që u kemi dhënë Librin, Urtësinë dhe pejgamberinë. E, nëse ata (banorët e Mekës) i mohojnë këto, Ne do t'ia besojmë një populli tjetër që nuk do t'i mohojë. Këta janë ata, të cilët Allahu i ka udhëzuar në rrugën e drejtë, andaj edhe ti (o Muhamed) ndiq rrugën e tyre...” (Enam, 84-90) dhe tha: “Ai është prej tyre.” Jezid ibn Haruni, Muhamed ibn Ubejdi dhe Sehël ibn Jusufi shtojnë nga Avami se Muxhahidi thotë se e pyeti Ibn Abasin, e në atë rast ai i tha: “Edhe Pejgamberi juaj ﷺ është urdhëruar t'i pasojë ata.””