“Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sulejman ibn Abdurrahmani dhe Musa ibn Haruni, e këtyre u ka treguar Velid ibn Muslimi, e këtij i ka treguar Abdullah ibn Ala ibn Zebri, e këtij i ka treguar Busr ibn Ubejdullahu, e këtij i ka treguar Ebu Idris Havlani se Ebu Derdai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Mes Ebu Bekrit dhe Omerit u shkaktua një polemikë, e në atë rast Ebu Bekri e zemëroi Omerin. Si rrjedhojë, Omeri u largua, kurse Ebu Bekri i shkoi pas duke i kërkuar ta falë, por Omeri nuk pranonte, derisa ia mbylli derën në fytyrë Ebu Bekrit. Kështu, teksa po rrinim me të Dërguarin e Allahut ﷺ, Ebu Bekri erdhi me nxitim, e në atë rast i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Ky shoku juaj qenka grindur (me dikë) .” Më pas, Omeri u pendua nga veprimet e tij, prandaj erdhi, dha selam dhe u ul afër Pejgamberit ﷺ për t'ia treguar ngjarjen. I Dërguari i Allahut ﷺ u zemërua, ndërsa Ebu Bekri thoshte: “Betohem në Allahun, o i Dërguari i Allahut, se unë isha gabim.” Atëherë i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Vallë, mund ta lini të qetë shokun tim?! Vallë, mund ta lini të qetë shokun tim?! Kur unë thosha: “O njerëz, unë jam i Dërguari i Allahut për të gjithë ju...”, (Araf, 158) ju thoshit: “Po gënjen!”, ndërsa Ebu Bekri thoshte: “Po e thua të vërtetën!””