“Ebu Jemani na ka thënë: Na ka treguar Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Ubejdullah ibn Abdullah ibn Utbe se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ujejne ibn Hisën ibn Hudhejfe erdhi dhe u vendos te Hurr ibn Kajsi, i cili ishte nga radhët e personave që Omeri i mbante afër. Në mesin e personave që e dinin Kuranin, që rrinin në ndejat e Omerit e me të cilët ai këshillohej kishte të moshuar dhe të rinj. Ujejne i tha djalit të vëllait të vet: “O biri i vëllait tim, ti ke afërsi me këtë prijës, andaj kërko leje për mua të shkoj tek ai.” Ai tha: “Do të marr leje për ty.” Kështu, Hurri foli me Omerin dhe ai i dha leje. Me të hyrë brenda, Ujejne tha: “O Ibn Hatab! Betohem në Allahun se nuk po na jep mjaftueshëm dhe nuk po gjykon mes nesh me drejtësi.” Si rrjedhojë, Omeri u zemërua, saqë deshi ta godasë. Por, Hurri ndërhyri duke thënë: “O prijës i besimtarëve, Allahu i Lartësuar e ka porositur të Dërguarin e Tij: “Trego mëshirë, urdhëro vepra të mira dhe shmangu nga të paditurit!” (Araf, 199) Ky këtu është i paditur. Betohem në Allahun se, kur ia lexoi ajetin, Omeri nuk vazhdoi më tutje. Ai përmbahej para Librit të Allahut.””