“Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jezid ibn Zureji, e këtij i ka treguar Sulejman Tejmiu, e ky nga Ebu Othmani se Ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se një burrë puthi një grua, andaj vajti tek i Dërguari i Allahut ﷺ e i tregoi, e në atë rast Allahu ﷻ e zbriti ajetin: “Kryeje namazin, mëngjes e mbrëmje, si dhe në një pjesë të natës. Me të vërtetë, veprat e mira i shlyejnë të këqijat. Kjo këshillë vlen për ata që i pranojnë këshillat.” (Hud, 114) Burri në fjalë pyeti: - A vlen kjo vetëm për mua? - “Dhe për këdo tjetër që mëkaton nga umeti im”, - i tha Pejgamberi ﷺ.”