“Humejdiu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Ameshi, e ky nga Muslimi, e ky nga Mesruku se Abdullah ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Meqë kurejshët hezitonin t'i përgjigjeshin fesë, Pejgamberi ﷺ u lut: “O Allah, më mbroj prej tyre, duke ua dërguar shtatë vjet (thatësie) sikurse shtatë vjetët e Jusufit!” Kështu, njerëzit (në Mekë) i kaploi një thatësirë, saqë nuk mbeti asgjë e njomë (mbi tokë), aq sa filluan të hanin eshtra. Madje, kur dikush shikonte nga qielli, sytë nuk i shihnin tjetër vetëm se tym (për shkak të urisë). Allahu ﷻ ka thënë: “Andaj ti prite atë (ditë), kur qielli do të lëshojë tym të qartë.” (Duhan, 10) Dhe ka thënë: “Edhe sikur t'ju lirojmë nga dënimi pak (kohë), ju me siguri që do të ktheheni (në mosbesim).” (Duhan, 15) A do të lirohen ata nga dënimi Ditën e Kiametit? Tymi dhe goditja e fuqishme tanimë janë paraqitur.””