“Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Amri, e ky nga Ikrime se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kur Allahu cakton ndonjë punë në qiell, melekët rrahin krahët në shenjë përuljeje ndaj urdhrit të Tij sikurse zinxhiri (kur bie) mbi sipërfaqen e gurit të lëmuar, kur Allahu ua kalon urdhrin atyre. Pasi t'u largohet frika nga zemrat, ata thonë: “Çfarë tha Zoti juaj?” - Të vërtetën. Ai është i Lartësuari dhe i Madhërishmi! - përgjigjen të tjerët. Ata (shejtanët) dëgjojnë vjedhurazi dhe janë radhë-radhë mbi njëri-tjetrin, kështu: - Sufjani (transmetuesi) e përshkroi me dorë duke hapur gishtërinjtë dhe duke i vendosur mbi njëri-tjetrin. - Ndodh që meteori flakërues ta godasë dëgjuesin para se t'ia përcjellë fjalët tjetrit dhe ta djegë, por, ndonjëherë (meteori) , e arrin pasi t'ia ketë përcjellë fjalët tjetrit dhe ky tjetrit poshtë tij, derisa ta përcjellin në tokë, ku e merr fallxhori, i cili ia bashkëngjit qindra gënjeshtra, e në atë rast njerëzit i besojnë dhe thonë: “A nuk na pati thënë se filan ditën do të ndodhë kështu e ashtu dhe na doli realitet?” - duke aluduar në fjalën që është dëgjuar nga qielli.” Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e këtij i ka treguar Amri nga Ikrime, e ky nga Ebu Hurejra: " Kur Allahu të caktojë ndonjë punë...” - dhe ka shtuar fjalët: ”... (fallxhori) dhe falltari.” Sufjani na ka treguar se Amri ka thënë: “E kam dëgjuar Ikrimen të thotë: “Ebu Hurejra na ka treguar: " Kur Allahu të caktojë ndonjë punë...” dhe ka thënë: "ku e merr fallxhori...” I thashë Sufjanit: “A ti e ke dëgjuar Amrin të thotë se e ka dëgjuar Ikrimen, të thotë se e ka dëgjuar Ebu Hurejrën?” Tha: “Po.” I thashë Sufjanit: “Një person ka transmetuar nga ti prej Amrit, e ky nga Ikrime, e ky nga Ebu Hurejra se Pejgamberi ﷺ fjalën “fuzia" (pasi të largohet frika) e ka lexuar “furriga" (pasi t'u zbrazet frika). Sufjani u përgjigj: “Kështu e ka lexuar Amri, andaj nuk e di nëse e ka dëgjuar kësisoj apo jo.” Sufjani shton: “Ky është leximi ynë.””