“Ebu Usame transmeton nga Hisham ibn Urve se babai i tij i ka rrëfyer se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur u përfola (ndër njerëz) duke shpifur për mua, gjë për të cilën nuk isha në dijeni, i Dërguari i Allahut ﷺ u ngrit të ligjërojë për çështjen time, andaj e falënderoi dhe e lavdëroi Allahun ashtu siç i takon Atij, pastaj tha: “E, më pas; më jepni mendimin tuaj për disa persona të cilët e akuzuan familjen time. Për Allahun, unë nuk di për familjen time gjë të keqe, madje e akuzuan me një person që, për Allahun, as për të nuk di gjë të keqe, i cili asnjëherë nuk ka hyrë në shtëpinë time pa mua. Po ashtu, sa herë kam qenë në udhëtim, edhe ai ka qenë me mua.” Atëherë, Sad ibn Muadhi u ngrit dhe tha: “Na jep leje, o i Dërguari i Allahut, t'ua heqim kokat!” Pastaj u ngrit një pjesëtar i fisit hazrexh, fis ky nga i cili ishte edhe e ëma e Hasan ibn Thabitit, dhe tha: “Betohem në Allahun se gënjeve! Sikur të ishin të fisit evs, nuk do të doje t'u hiqeshin kokat!” Sherri mes fiseve evs dhe hazrexh pothuajse plasi në xhami. Aishja shton: “Ndërkohë, unë nuk dija gjë. Në mbrëmjen e asaj dite, dola për disa nevoja të mia, së bashku me Umu Mistahun, e cila u pengua dhe tha: “Qafën e theftë Mistahu!” Unë i thashë: “Çfarë nëne je, që e shan djalin?!” Por, ajo heshti. Pastaj u pengua për së dyti dhe tha: “Qafën e theftë Mistahu!” Unë i thashë: “Çfarë nëne je, që e shan djalin?!” Por, ajo heshti. Pastaj u pengua për së treti dhe tha: “Qafën e theftë Mistahu!” Kështu, unë e qortova. Atëherë ajo më tha: “Për Allahun, jam duke e sharë për ty.” - Përse për mua? - e pyeta dhe ajo ma rrëfeu tërë ndodhinë. - Vërtet paska ndodhur kjo? - e pyeta. - Po, për Allahun! - m'u përgjigj. Unë u ktheva në shtëpi dhe aspak nuk më shkonte mendja përse kisha dalë. Pastaj u sëmura, andaj i thashë të Dërguarit të Allahut ﷺ: “Më lejo të shkoj në shtëpinë e babait tim.” Kështu, ai dërgoi një shërbëtor me mua. Kur hyra në shtëpi, Umu Rumanin e gjeta poshtë, kurse Ebu Bekri lexonte sipër shtëpisë. Nëna më tha: “Ç'të solli, oj bija ime?” Atëherë unë i tregova dhe ia rrëfeva ndodhinë, porse kjo ndodhi nuk e kishte mërzitur atë ashtu siç më kishte mërzitur mua. Ajo më tha: “Oj bija ime! Mos u shqetëso shumë për këtë, për Allahun! Nuk ka grua të shkëlqyer që e do shumë burri i saj, i cili ka edhe gra të tjera, që ato të mos e xhelozojnë dhe të mos flasin për të.” (Sërish vërejta se) kjo ndodhi nuk e kishte mërzitur atë ashtu siç më kishte mërzitur mua. - Është në dijeni babai im për këtë? - Po, - tha ajo. - Po i Dërguari i Allahut!? - Po, edhe i Dërguari i Allahut ﷺ, - ma ktheu ajo. Sakaq, më rrodhën lotët dhe qava, saqë Ebu Bekri, duke qenë sipër shtëpisë, teksa lexonte, e dëgjoi zërin tim dhe zbriti e i tha nënës sime: “Çfarë ka ajo?” - Është informuar rreth thashethemeve për të, - u përgjigj ajo. Edhe Ebu Bekrit i rrodhën lotët, andaj më tha: “Të përbej, oj bija ime, të kthehesh në shtëpinë tënde!” Kështu, unë u ktheva. I Dërguari i Allahut ﷺ ishte kthyer në shtëpi dhe e kishte pyetur shërbëtoren time për mua, e ajo i kishte thënë: “Jo, betohem në Allahun se kurrë nuk kam parë tek ajo ndonjë të keqe, përveç faktit se ka raste kur e zë gjumi e hyn delja dhe e ha tharmin a brumin e bukës.” Dikush nga sahabët e qortoi shërbëtoren dhe i tha: “Thuaja të vërtetën të Dërguarit të Allahut ﷺ"; dhe i treguan asaj çfarë po flitej. Shërbëtorja tha: “Subhanallah! Betohem në Allahun se unë e njoh atë siç e njeh argjendari arin e kuq e të pastër.” Edhe personi ndaj të cilit ishte shpifur, kur i kishte arritur lajmi, kishte thënë: “Subhanallah! Betohem në Allahun se kurrë nuk kam zbuluar rrobë gruaje.” Aishja shton: “Ai është vrarë shehid në rrugën e Allahut.” Ajo vazhdon: “Në mëngjes, prindërit erdhën tek unë dhe qëndruan derisa erdhi i Dërguari i Allahut ﷺ pasi e kishte falur ikindinë. Kur hyri, i gjeti dy prindërit e mi, të cilët më kishin futur në mes, djathtas dhe majtas meje. Kështu, ai e falënderoi dhe e lavdëroi Allahun, pastaj tha: “E, më pas. Oj Aishe, nëse ke bërë gjë të keqe ose ke bërë zullum, atëherë pendohu tek Allahu, sepse Allahu i pranon pendimet e robërve të Vet.” Aishja tregon: “Një grua ensare kishte ardhur dhe ishte ulur te dera, andaj i thashë të Dërguarit të Allahut ﷺ: “A nuk po të vjen turp prej kësaj gruaje të përmendësh diçka (të keqe)?” Atëherë i Dërguari i Allahut ﷺ këshilloi, kurse unë iu drejtova babait tim: “Përgjigjju atij!” Ai më tha: “Çfarë t'i them?!” Pastaj iu drejtova nënës: “Përgjigjju atij!” Edhe ajo më tha: “Çfarë t'i them?!” Pasi ata nuk iu përgjigjën, unë e falënderova dhe e lavdërova Allahun, ashtu siç i takon Atij, pastaj thashë: “E, më pas. Betohem në Allahun se, nëse ju them se nuk kam bërë gjë, ndërkohë Allahu i Madhëruar dëshmon se unë e them të vërtetën, nuk më bën dobi aspak te ju, sepse ju tanimë keni folur për këtë temë dhe zemrat ju janë bindur ashtu. E, nëse ju them se e kam bërë, ndërkohë Allahu e di se unë nuk e kam bërë, ju do të thoni se ajo e pranoi gabimin. Ndërkaq, unë, për Allahun, nuk po gjej për vete dhe për ju tjetër shembull, - e kërkoja emrin e Jakubit, por nuk e gjeja dot, - përpos babait të Jusufit, kur ka thënë: “Durimi është i mirë, Allahu është Ndihmëtari për atë që thoni ju.” (Jusuf, 18) Në ato momente të Dërguarit të Allahut ﷺ i zbriti (shpallja), andaj ne heshtëm. Kur u kthjell, unë e vërejta gëzimin në fytyrën e tij. Teksa po e fshinte ballin, tha: “Përgëzohu, oj Aishe! Allahu e shpalli pafajësinë tënde!” Unë isha shumë e hidhëruar. Prindërit më thanë: “Afroju atij!” Por, unë ua ktheva: “Jo, për Allahun, nuk i afrohem dhe nuk e falënderoj as atë e as ju, por e falënderoj Allahun, i Cili e shpalli pafajësinë time. Ju e dëgjuat atë e, as e kundërshtuat, as e ndryshuat.” Aishja thoshte: “Sa i përket Zejnebe bint Xhahshit, Allahu e ruajti atë me fenë e saj, andaj foli vetëm mirë, kurse motra e saj Hamne u shkatërrua së bashku me shpifësit. Ata që bartën fjalë për këtë ndodhi ishin: Mistahu, Hasan ibn Thabiti dhe hipokriti Abdullah ibn Ubeji, i cili kërkonte dhe mblidhte fjalë. Pra, ai e barti barrën më të madhe, e edhe Hamne. Kështu, Ebu Bekri u betua se kurrë nuk do t'i bëjë mirë Mistahut, ndërsa Allahu i Madhëruar zbriti ajetin: “Njerëzit e ndershëm dhe të pasur ndër ju...” pra, Ebu Bekri, - “... të mos betohen se nuk do t'u japin të afërmve, të varfërve...” pra, Mistahut “... dhe të mërguarve në rrugën e Allahut; le t'i falin ata dhe të mos ua marrin për keq! Vallë, a nuk doni ju që Allahu t'ju falë? Allahu është Falës e Mëshirëplotë.” (Nur, 22) Në atë rast, Ebu Bekri tha: “Po! Betohem në Allahun, o Zoti ynë, se ne duam të na falësh!” - dhe zuri ta ndihmojë përsëri Mistahun, siç vepronte më parë.””