“Lejthiu na ka thënë: Na ka treguar Junusi, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka rrëfyer Ebu Seleme ibn Abdurrahmani se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), gruaja e Pejgamberit ﷺ, tregon: “Pasi i Dërguari i Allahut ﷺ u urdhërua t'ua mundësojë grave të tij zgjedhjen (për të qëndruar me të ose për t'u shkurorëzuar), filloi me mua duke më thënë: “Po të përmend një gjë, por nuk ke nevojë të ngutesh (për të marrë vendim) pa i pyetur prindërit.” Ai e dinte mirë se prindërit e mi nuk më thonë të ndahem prej tij. Pastaj Pejgamberi ﷺ tha: “Allahu i Madhëruar ka thënë: “O i Dërguar! Thuaju grave tuaja: “Nëse dëshironi jetën e kësaj bote dhe stolitë e saj, ejani, unë do t'ju jap vlerën (e shkurorëzimit) dhe do t'ju lëshoj si është më mirë. Por, nëse dëshironi Allahun, të Dërguarin e Tij dhe botën tjetër, dijeni se Allahu ka përgatitur shpërblim të madh për ato prej jush që bëjnë vepra të mira.” (Ahzab, 28-29) Unë i thashë: “Për cilën gjë t'i pyes prindërit?! Unë e zgjedh Allahun, të Dërguarin e Tij dhe jetën e ahiretit.” Edhe gratë e tjera të të Dërguarit të Allahut ﷺ vepruan ashtu siç veprova unë. Transmetimin e Junusit e fuqizon Musa ibn Ajeni nga Mameri, e ky nga Zuhriu se ka thënë: “Më ka rrëfyer Ebu Seleme.” Abdurrezaku dhe Ebu Sufjan Mameriu na kanë transmetuar nga Mameri, e ky nga Zuhriu, e ky nga Urve, e ky nga Aishja.”