“Muhamed ibn Abdullah Rakashiu na ka thënë: Na ka treguar Muëtemir ibn Sulejmani, e ky e ka dëgjuar babanë e tij, e këtij i ka treguar Ebu Mixhlezi se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur i Dërguari i Allahut ﷺ u martua me Zejnebe bint Xhahshin, i ftoi njerëzit (dasëm). Ata hëngrën, pastaj vazhduan ndejën duke biseduar. Pejgamberi ﷺ bëhej sikur donte të ngrihej, por ata nuk largoheshin. Kur pa se nuk po ngrihen, Pejgamberi ﷺ u ngrit vetë dhe bashkë me të edhe një pjesë e njerëzve, përveç tre personave, të cilët vazhduan të qëndrojnë aty. Kur Pejgamberi ﷺ u kthye, i gjeti ata brenda. Më vonë, ata u ngritën dhe shkuan, andaj shkova dhe e lajmërova Pejgamberin ﷺ se ata kishin shkuar. Ai erdhi dhe hyri brenda, e bashkë me të desha të hyj edhe unë, por ai e lëshoi perden mes meje dhe tij. Atëherë Allahu e zbriti ajetin: “O besimtarë, mos hyni në shtëpitë e të Dërguarit, përveç rastit kur ju është dhënë leje për të ngrënë, por jo të pritni përgatitjen e tij (ushqimit)! Hyni vetëm kur t'ju thërrasin dhe, pasi të hani, shpërndahuni! Mos qëndroni pas ushqimit për të biseduar me njëri-tjetrin. Kjo, me të vërtetë, e shqetësonte të Dërguarin e ai turpërohej (që t'jua thoshte këtë), ndërsa Allahu nuk turpërohet që t'jua thotë të vërtetën. Kur të kërkoni prej grave të Pejgamberit diçka, kërkojeni prapa perdes! Kjo është më e pastër për zemrat tuaja dhe të atyre. Juve nuk ju lejohet që ta shqetësoni të Dërguarin e Allahut, as që të martoheni me gratë e tij, pas (vdekjes së) tij. Kjo është vërtet gjynah i madh para Allahut.” (Ahzab, 53)”