“Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Xheriri, e ky nga Ameshi, e ky nga Ebu Duha se Mesruku tregon: “Njëherë, shkuam tek Abdullah ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!), i cili na tha: “O njerëz! Ai që di, le të flasë, kurse ai që nuk di, le të thotë: “Allahu e di më së miri.” Kjo, se pjesë e diturisë është që, kur njeriu nuk di një gjë, të thotë: “ Allahu e di më së miri .” Allahu Fuqiplotë i ka thënë të Dërguarit të Tij ﷺ: “Thuaj (o Muhamed!): “Unë prej jush nuk kërkoj kurrfarë shpërblimi për të (Kuranin), e as jam nga ata që paraqiten të atillë (çfarë nuk janë).” (Sad, 86) Do t'ju rrëfej diçka për tymin (duhanin). I Dërguari i Allahut ﷺ i ftoi kurejshët në Islam, por ata u vonuan, kështu që Pejgamberi ﷺ u lut kundër tyre: “O Allah, më ndihmo kundër tyre me shtatë (vjet) , sikurse shtatë vjetët e Jusufit (me thatësi) .” Pas kësaj, ata i goditi një thatësirë që shteri çdo gjë, saqë hanin ngordhësira dhe lëkura. Kishte raste kur ndokujt, nga uria e madhe, t'i dukej sikurse po shihte tym në mes tij dhe qiellit. Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Ti pra, prite ditën kur qielli sjell një tym haptazi, që do t'i mbulojë njerëzit, (e u thuhet atyre): “Ky është dënimi i dhembshëm!” Pas kësaj, ata u lutën duke thënë: “ Zoti ynë, largoje prej nesh dënimin, ne do të besojmë. Prej nga atyre ajo këshillë (ai mësim), kur atyre u pat ardhur Pejgamberi me argument (e nuk besuan)? E u shmangën prej tij dhe thanë: “(Ai është) i mësuar (prej tjetërkujt), i çmendur. Ne do t'jua largojmë dënimin për pak kohë, por ju do të ktheheni.” (Duhan, 12-15) E pyeta: “A u larguaka dënimi në Ditën e Gjykimit?” Ai tha: “U largua për një kohë, por ata u kthyen në mosbesim, andaj Allahu i goditi me dënim në ditën e Bedrit. Allahu i Lartësuar ka thënë: “ Ditën kur do t'i kapim me rrëmbimin Tonë të fuqishëm, vërtet Ne do të hakmerremi.” (Duhan, 16)”