“Bishr ibn Halidi na ka thënë: Na ka rrëfyer Muhamedi nga Shuëbe, e ky nga Sulejmani dhe Mensuri, e ky nga Ebu Duha se Mesruku transmeton se Abdullah ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) ka thënë: “Allahu e ka dërguar Muhamedin ﷺ dhe ka thënë: “Thuaj (o Muhamed): “Unë prej jush nuk kërkoj kurrfarë shpërblimi për këtë (Kuran) e as pretendoj të jem diçka që s'jam.” (Sad, 86) Pasi i Dërguari i Allahut ﷺ pa se kurejshët e kundërshtuan, ai u lut (kundër tyre): “O Allah, më ndihmo kundër tyre me shtatë (vjet) , sikurse shtatë vjetët e Jusufit (me thatësi) !” Kështu, ata i goditi një thatësi, saqë nuk mbeti asgjë e njomë (mbi tokë). U detyruan të hanin eshtra dhe lëkura, ose lëkura dhe ngordhësira. Prej tokës filloi të dalë diçka në formë tymi. Prandaj, Ebu Sufjani vajti e i tha: “O Muhamed! Populli yt gati sa s'është shkatërruar, andaj lute Allahun që t'ua largojë (këtë gjendje)!” Pejgamberi ﷺ u lut për ta, pastaj tha: “Pas kësaj, sërish do të ktheheni (në mosbesim) .” Në transmetimin e Mensurit qëndron: “Ibn Mesudi lexoi ajetet: “Andaj ti prite atë (ditë), kur qielli do të lëshojë tym të qartë, që do t'i mbulojë njerëzit, (e do t'u thuhet): “Ky është dënim i dhembshëm!” (Mohuesit do të thonë): “O Zoti ynë, lirona prej dënimit! Ne tashmë besojmë!” Si mund të përfitojnë ata nga këshilla, ndërkohë që më parë atyre u pat ardhur një i Dërguar me shpjegime të qarta e u shmangën prej tij dhe thanë: “(Ai është) i mësuar (prej tjetërkujt), i çmendur.” Edhe sikur t'ju lirojmë nga dënimi pak (kohë), ju me siguri që do të ktheheni (në mosbesim).” (Duhan, 10-15) Dhe shtoi: “Vallë, a do t'u largohet dënimi i ahiretit?” Ndërkaq, dalja e tymit, rrëmbimi i fuqishëm dhe lizami kanë kaluar. Në një transmetim tjetër përmendet edhe çarja e Hënës, kurse diku tjetër përmendet edhe fitorja e bizantëve.””