“Sulejman ibn Harbi na ka thënë: Na ka treguar Xherir ibn Hazimi nga Ameshi, e ky nga Ebu Duha se Mesruku tregon: “Shkova tek Abdullah ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!), i cili na tha: “Kur i Dërguari i Allahut ﷺ i ftoi kurejshët (në Islam), ata e përgënjeshtruan dhe e kundërshtuan, andaj ai u lut: “O Allah, më ndihmo kundër tyre, me shtatë vjet (thatësie) sikurse shtatë vjetët e Jusufit!” Së këndejmi, njerëzit (në Mekë) i kaploi një thatësi, saqë nuk mbeti asgjë e njomë (mbi tokë). Madje, filluan të hanin edhe ngordhësira. Kishte raste kur ndokujt, nga vuajtja dhe uria e madhe, t'i dukej sikur po shihte tym mes tij dhe qiellit. Pastaj citoi: “Andaj ti prite atë (ditë), kur qielli do të lëshojë tym të qartë, që do t'i mbulojë njerëzit, (e do t'u thuhet): “Ky është dënim i dhembshëm!” (Mohuesit do të thonë): “O Zoti ynë, lirona prej dënimit! Ne tashmë besojmë!” Si mund të përfitojnë ata nga këshilla, ndërkohë që më parë atyre u pat ardhur një i Dërguar me shpjegime të qarta e ata i kthyen shpinën, duke thënë: “Ai është një i çmendur i mësuar nga të tjerët?!” Edhe sikur t'ju lirojmë nga dënimi pak (kohë), ju me siguri që do të ktheheni (në mosbesim).” (Duhan, 10-15) Abdullahu shton: “Vallë, a do t'u largohet dënimi në Ditën e Kiametit? "Goditja e fuqishme" (Duhan, 16) qe ndodhia në ditën e Bedrit.””