“Jahjai na ka thënë: Na ka treguar Vekiu nga Ameshi, e ky nga Ebu Duha se Mesruku tregon: “Njëherë, shkova tek Abdullah ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!), i cili tha: “Pjesë e diturisë është që, për gjërat që nuk i di, të thuash: “Allahu e di më së miri.” Allahu i ka thënë të Dërguarit të Tij ﷺ: “Thuaj (o Muhamed): “Unë prej jush nuk kërkoj kurrfarë shpërblimi për këtë (Kuran) e as pretendoj të jem diçka që s'jam.” (Sad, 86) Pasi kurejshët i bënë shumë zullum dhe e kundërshtuan Pejgamberin ﷺ, ai u lut: “O Allah, më ndihmo kundër tyre me shtatë vjet, sikurse ata shtatë vjetët e Jusufit (me thatësi) !” Pas kësaj, ata i kaploi një thatësi, saqë, nga uria, u detyruan të hanin eshtra dhe ngordhësira. Kishte raste kur ndokujt, nga uria e madhe, t'i dukej sikurse po shihte tym mes tij dhe qiellit. Ata (pas kësaj) u lutën: “O Zoti ynë, lirona prej dënimit! Ne tashmë besojmë! ” (Duhan, 12) Pejgamberit ﷺ iu tha: "Po ua larguam këtë gjendje, ata sërish do të kthehen në mosbesim.” Megjithatë, Pejgamberi ﷺ e luti Zotin e vet dhe Ai ua largoi mundimin. Mirëpo, ata sërish u kthyen në mosbesim. Kështu, Allahu u hakmor ndaj tyre në Ditën e Bedrit, gjë në të cilën aludojnë ajetet: "Andaj ti prite atë (ditë), kur qielli do të lëshojë tym të qartë, që do t'i mbulojë njerëzit, (e do t'u thuhet): “Ky është dënim i dhembshëm! (Mohuesit do të thonë): “O Zoti ynë, lirona prej dënimit! Ne tashmë besojmë!” Si mund të përfitojnë ata nga këshilla, ndërkohë që më parë atyre u pat ardhur një i Dërguar me shpjegime të qarta e ata i kthyen shpinën, duke thënë: “Ai është një i çmendur i mësuar nga të tjerët?!” Edhe sikur t'ju lirojmë nga dënimi pak (kohë), ju me siguri që do të ktheheni (në mosbesim). Ditën, kur do t'i mbërthejmë ata me forcën më të madhe, Ne do të hakmerremi.” (Duhan, 10-16)”