“Jakub ibn Ibrahim ibn Kethiri më ka thënë: Na ka treguar Ebu Usame, e këtij i ka treguar Fudajl ibn Gazvani, e këtij i ka treguar Ebu Hazim Eshxhaiu se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Një njeri vajti tek i Dërguari i Allahut ﷺ (për të kërkuar ushqim) dhe tha: “O i Dërguari i Allahut, më ka kapluar uria.” Kështu, Pejgamberi ﷺ dërgoi dikë te gratë e tij (për të pyetur nëse kishte ushqim), por nuk gjeti asgjë. Atëherë i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Atë që e gostit këtë njeri sonte, Allahu e mëshiroftë!” Një ensar, u ngrit dhe tha: “Unë, o i Dërguari i Allahut!” Kështu, ai shkoi te gruaja e tij dhe i tha: “Ky është mysafiri i të Dërguarit të Allahut ﷺ, andaj mos kurse asgjë.” - Për Allahun, nuk kam asgjë, përpos ushqimit të fëmijëve, - ia ktheu ajo. - Kur fëmijët të kërkojnë darkën, vëri në gjumë, pastaj eja dhe fike kandilin, ndërsa barqet tona po i lëmë të zbrazura sonte, - tha ai. Së këndejmi, ajo veproi siç u porosit. Në mëngjes, burri në fjalë shkoi tek i Dërguari i Allahut ﷺ, i cili tha: “Allahu i Madhëruar u mahnit, - ose ka thënë: qeshi, - me veprimin e filanit dhe filanes.” Atëherë, Allahu zbriti ajetin: “... Ata u jepnin përparësi atyre para vetvetes, edhe pse vetë janë nevojtarë.” (Hashr, 9)”