“Humejdiu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e këtij i ka treguar Amër ibn Dinari, e këtij i ka treguar Hasen ibn Muhamed ibn Aliu, e ky e ka dëgjuar Ubejdullah ibn Ebu Rafiun, qatipin e Aliut, se Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) rrëfen: “I Dërguari i Allahut ﷺ më dërgoi mua, Zubejrin e Mikdadin dhe na tha: “Nisuni dhe shkoni në kopshtin Hah, ku do të gjeni një grua të hipur në deve. Ajo mban një letër, andaj merrjani!” Kështu, u nisëm dhe kuajt tanë shpejtuan derisa arritëm te kopshti. Aty e takuam gruan hipur në deve dhe i thamë: “Na e nxirr letrën.” Ajo tha: “Nuk kam asnjë letër.” Ne i thamë: “Ose na jep letrën, ose do të të zhveshim (për të të kontrolluar)!” Atëherë, ajo e nxori letrën nga l idhësja (e flokut) , të cilën ia dërguam Pejgamberit ﷺ. Letra ishte nga Hatib ibn Ebu Belta, dërguar disa idhujtarëve të Mekës, ku i informonte për disa plane të Pejgamberit ﷺ. Pejgamberi ﷺ i tha: “O Hatib, ç'është kjo?” Ai iu përgjigj: “O i Dërguari i Allahut, mos u ngut ndaj meje (të më dënosh), sepse unë kam qenë njeri i afërt me kurejshët, por nuk isha prej tyre. Ndërkaq, muhaxhirët që janë me ty, kanë farefis në Mekë, të cilët ua mbrojnë familjet dhe pasuritë. Rrjedhimisht, meqë nuk e gëzoj këtë të drejtë nga ana farefisnore, doja të fitoja përkrahjen e tyre, që të m'i mbrojnë të afërmit e mi. Këtë nuk e kam bërë me synim të mosbesimit e as të daljes nga feja ime.” Pejgamberi ﷺ tha: “Jua tha të vërtetën.” Omeri tha: “O i Dërguari i Allahut, më lejo t'ia pres kokën këtij!” Pejgamberi ﷺ i tha: “Ai ka qenë pjesëmarrës në Bedër. E ku e di ti? Allahu i ka parë pjesëmarrësit në Bedër dhe u ka thënë: “Punoni ç'të doni, sepse jua kam falur mëkatet.” Amri tha: “Për të ka zbritur ajeti: “O ju që keni besuar, mos e zini mik armikun Tim dhe armikun tuaj.” (Mumtehine, 1) Sufjani shton: “Nuk e di për ajetin nëse është pjesë e hadithit apo Amri e citoi atë. Aliu na ka treguar: “I është thënë Sufjanit: “Për këtë ka zbritur ajeti: “O ju që keni besuar, mos e zini mik armikun Tim dhe armikun tuaj.” Sufjani ka thënë: “Kështu e kanë përcjellë transmetuesit, ndërkohë unë e kam mësuar prej Amrit shkronjë për shkronjë dhe nuk di që ta ketë transmetuar prej tij dikush tjetër pos meje.””