“Is'haku më ka treguar: Na ka lajmëruar Ibrahim ibn Sadi, e këtij i ka treguar i biri i vëllait të Ibn Shihabit, e ky nga xhaxhai i tij, e këtij i ka rrëfyer Urve se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), gruaja e Pejgamberit ﷺ, tregon se besimtaret që bënin hixhret, i Dërguari i Allahut ﷺ i provonte me këtë ajet: “O Pejgamber, nëse vijnë te ti besimtaret e të betohen se nuk do t'i shoqërojnë Allahut asgjë (në adhurim), nuk do të vjedhin, nuk do të bëjnë zina, nuk do t'i vrasin fëmijët e tyre, nuk do të shpifin në moralin e njëra-tjetrës dhe se nuk do të të kundërshtojnë në çfarë është e drejtë dhe e arsyeshme, atëherë ti pranoje betimin e tyre dhe lutju Allahut t'i falë. Vërtet, Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë.” (Mumtehine, 12) Aishja shton: “Asaj që e pranonte këtë kusht, i Dërguari i Allahut ﷺ i thoshte: “E pranova besën tënde” - vetëm me fjalë. Betohem në Allahun se dora e tij nuk ka prekur kurrë dorën e ndonjë femre në besatim. Me to besatohej vetëm nëpërmjet fjalëve: “Ta pranova besën tënde për këto (gjëra) .” Transmetimin e Ibrahim ibn Sadit e kanë fuqizuar Junusi, Mameri dhe Abdurrahman ibn Is'haku nga Zuhriu. Ndërkaq Is'hak ibn Rashidi e ka transmetuar nga Zuhriu, e ky nga Urve dhe Amra.”