“Abdullah ibn Rexhai na ka thënë: Na ka treguar Israili nga Ebu Is'haku se Zejd ibn Erkami (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kam qenë në një luftë kur dëgjova Abdullah ibn Ubejin të thotë: “Mos u jepni asgjë atyre që janë me të Dërguarin e Allahut, me qëllim që të largohen prej tij. Po u kthyem në Medinë, pa dyshim se i privilegjuari i banorëve të saj do ta dëbojë të ulëtin.” Këtë fjalë unë ia tregova xhaxhait tim, - ose tha: Omerit, - i cili ia përcolli Pejgamberit ﷺ. Kështu, ai më thirri dhe unë ia tregova tërë ngjarjen. Pastaj, i Dërguari i Allahut ﷺ dërgoi dikë për ta thirrur Abdullah ibn Ubejin dhe shokët e tij, të cilët u betuan se nuk i kishin thënë ato fjalë. Si rrjedhojë, i Dërguari i Allahut ﷺ më përgënjeshtroi mua dhe i besoi atij (Abdullah ibn Ubejit). Atëherë mua më kapi një pikëllim si kurrë më parë, prandaj qëndrova në shtëpi. Xhaxhai im më tha: “A këtë paske pasur për qëllim, të të përgënjeshtrojë i Dërguari i Allahut ﷺ dhe të të urrejë?!” Për këtë, Allahu i Madhëruar zbriti suren që fillon me: “Kur të erdhën ty hipokritët... ”, e në atë rast Pejgamberi ﷺ dërgoi dikë për të më thirrur dhe, pasi ma lexoi ajetin, më tha: “Allahu ta vërtetoi fjalën, o Zejd!””