“Adem ibn Ebu Ijasi na ka thënë: Na ka treguar Israili nga Ebu Is'haku se Zejd ibn Erkami (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Isha me xhaxhanë tim kur dëgjova Abdullah ibn Ubej ibn Selulin të thotë: “Mos u jepni gjë atyre që janë me të Dërguarin e Allahut, me qëllim që ata të largohen.” Gjithashtu, tha: “Po u kthyem në Medinë, pa dyshim se i privilegjuari i banorëve të saj do ta dëbojë të ulëtin.” Këtë fjalë ia përmenda xhaxhait tim, i cili ia përcolli Pejgamberit ﷺ. Kështu, i Dërguari i Allahut ﷺ dërgoi dikë për ta thirrur Abdullah ibn Ubejin dhe shokët e tij, të cilët (kur erdhën) u betuan se nuk i kishin thënë ato fjalë. Si rrjedhojë, i Dërguari i Allahut ﷺ u besoi atyre e më përgënjeshtroi mua. Atëherë mua më kaploi një pikëllim si kurrë më parë, prandaj qëndrova në shtëpinë time. Për këtë Allahu i Madhëruar zbriti ajetin: “Kur të erdhën ty hipokritët...”, ajetin tjetër në vijim: “Ata janë që u thonë (vendasve të Medinës): “Mos u jepni atyre që janë me të Dërguarin e Allahut (muhaxhirëve)...”, si dhe ajetin: “Më i nderuari i saj do ta dëbojë më të ulëtin.” 1 Pejgamberi ﷺ dërgoi dikë për të më thirrur dhe, pasi ma lexoi ajetin, më tha: “Allahu ta vërtetoi fjalën.””