“Aliu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani nga Amri se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Në një betejë me Pejgamberin ﷺ, një muhaxhir i dha një shkelm mbrapa një ensariu. Si pasojë, ensariu thirri: “O ensarë (ndihmë)!” Edhe muhaxhiri thirri: “O muhaxhirë (ndihmë)!” Me të dëgjuar këtë, i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Ç'është puna e këtyre thirrjeve të periudhës së injorancës?” Ata thanë: “O i Dërguari i Allahut! Një muhaxhir i dha një shkelm mbrapa një ensariu.” Pejgamberi ﷺ iu drejtua: “Hiqjuni asaj! Ajo është gjë e shëmtuar.” Kur dëgjoi për këtë Abdullah ibn Ubeji, tha: “Vallë, ashtu paskanë bërë? Betohem në Allahun se, nëse kthehemi në Medinë, të fortët do t'i përzënë të dobëtit që andej.” Kjo fjalë i arriti Pejgamberit ﷺ, e në atë rast Omeri u ngrit dhe tha: “O i Dërguari i Allahut! Lërmë t'ia pres kokën këtij hipokriti!” Por, Pejgamberi ﷺ tha: “Lëre, se pastaj njerëzit do të thonë se (Muhamedi) po i vret shokët e vet.” Kur muhaxhirët patën ardhur në Medinë, ensarët kanë qenë shumicë, por, më pas, muhaxhirët u bënë më shumë. Sufjani thotë: “E kam mbajtur në mend nga Amri.” Ndërkaq, Amri thotë: “E kam dëgjuar Xhabirin të thotë: “Ishim me Pejgamberin ﷺ.””