“Ismail ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Maliku nga Zejd ibn Eslemi, e ky nga Ebu Salih Semani se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kuajt për dikë janë shpërblim e për dikë mburojë, kurse për dikë janë mëkat . Shpërblim janë për atë që e rezervon kalin për luftë në rrugën e Allahut dhe, kur e lidh, ia lë litarin të gjatë në kullosë ose në kopsht. Çfarëdo që ha nga kullosa ose nga kopshti, i llogaritet shpërblim pronarit. Nëse ndodh ta këpusë litarin dhe të ikë një ose dy kodra larg, fërkemet dhe bajgat e tij i llogariten shpërblim pronarit. Nëse kalon pranë lumit dhe pi, pa dashur pronari t'i japë ujë, sërish i llogaritet shpërblim pronarit. Pra, kështu kuajt llogariten shpërblim (për pronarin) . Ndërkaq, atij që mban kalë për qëllime personale fitimprurëse, por nuk e harron obligimin e përkujdesjes ndaj tij, me të cilin e ka ngarkuar Allahu, i llogaritet mburojë (nga varfëria) . E, atij që mban kalë nga krenaria, syefaqësia dhe e shfrytëzon në armiqësi (ndaj muslimanëve) , i llogaritet mëkat . Pejgamberi ﷺ u pyet për gomarët, e në atë rast tha: “Nuk më ka zbritur shpallje që flet konkretisht për këtë, përveç këtyre ajeteve të përgjithshme e të pashoqe: “Kush ka bërë ndonjë të mirë, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë. E kush ka bërë ndonjë të keqe, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë.” (Zelzele, 7-8)”