“Seid ibn Ufejri na ka thënë: Më ka treguar Lejthiu, e këtij i ka treguar Ukajli nga Ibn Shihabi, e këtij i ka treguar Urve ibn Zubejri, e këtij i kanë treguar Misver ibn Mahrame dhe Abdurrahman ibn Abdulkaëri se Omer ibn Hatabi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Dëgjova Hisham ibn Hakimin duke e lexuar suren Furkan, gjatë kohës kur Pejgamberi ﷺ ishte ende gjallë dhe i kushtova vëmendje leximit të tij. Kuptova se ai po e lexonte atë në shumë dialekte, të cilat mua nuk m'i kishte lexuar ndonjëherë i Dërguari i Allahut ﷺ, andaj veç sa nuk iu vërsula teksa ishte duke u falur. Mezi durova derisa dha selam, pastaj ia shtrëngova rrobën e sipërme për fyti dhe i thashë: “Kush ta ka lexuar suren që të dëgjova duke e lexuar?” Ai tha: “Ma ka lexuar i Dërguari i Allahut ﷺ.” I thashë: “Po gënjen, sepse i Dërguari i Allahut ﷺ ma ka lexuar mua ndryshe nga ajo që e lexove ti.” Kështu, e mora me vete dhe u nisëm për tek i Dërguari i Allahut ﷺ, të cilit i thashë: “E dëgjova këtë duke e lexuar suren Furkan në një dialekt që ti nuk ma ke lexuar.” I Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Lëshoje! Lexo, o Hisham!” Ai lexoi ashtu siç e kisha dëgjuar më parë prej tij. I Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Kështu ka zbritur.” Pastaj iu drejtua Omerit: “Lexo, o Omer!” Unë lexova sipas mënyrës që ai më kishte mësuar. Atëherë i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Kështu ka zbritur. Në të vërtetë, ky Kuran ka zbritur në shtatë dialekte, andaj lexojeni atë në cilindo dialekt që ju vjen më lehtë!””