“Ismaili na ka thënë: Më ka treguar Maliku nga Zejd ibn Eslemi se Eslemi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Në një prej udhëtimeve gjatë natës, teksa i Dërguari i Allahut ﷺ po ecte rrugës së bashku me Omer ibn Hatabin, Omeri e pyeti diçka, mirëpo i Dërguari i Allahut ﷺ nuk iu përgjigj. E pyeti sërish, por ai nuk iu përgjigj. E pyeti për së treti, por nuk iu përgjigj. Atëherë, Omer ibn Hatabi tha me vete: “Mjerë nëna për ty, o Omer! Këmbëngule ndaj të Dërguarit të Allahut ﷺ tri herë dhe nuk t'u përgjigj!” Omeri tregon: “Pastaj e ngava devenë, derisa dola para njerëzve dhe kisha frikë mos zbriste ajet Kurani për mua (si qortim). Papritmas dëgjova dikë duke thirrur. Thashë me vete: “Tash vërtet po frikësohem se mos ka zbritur ndonjë ajet Kurani për mua.” Kështu, shkova tek i Dërguari i Allahut ﷺ, i dhashë selam, e në atë rast ai më tha: “Sonte më ka zbritur një sure, që është më e dashur tek unë, se çdo gjë mbi të cilën lind dielli.” Pastaj lexoi: “Ne, ta dhamë ty fitoren e qartë.” (Fet'h, 1)”