“Musededi na ka treguar se Jahjai transmeton nga Sufjani, e këtij i ka treguar Abdullah ibn Dinari se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kohëqëndrimi juaj në këtë botë, në raport me umetet e tjera para jush, është sikurse koha mes ikindisë dhe perëndimit të diellit. Ndërkaq, ju dhe hebrenjtë e të krishterët shëmbëlleni me rastin e një burri që ka punësuar punëtorë krahu dhe u thotë: “Kush do të punojë për mua deri në mesditë për një kirat 1 ?” Kështu, hebrenjtë punuan. Pastaj u thotë: “Kush do të punojë për mua nga mesdita deri në ikindi?” Kështu, të krishterët punuan. Pastaj punoni ju prej ikindisë deri në aksham, për dy kiratë. Ithtarët e Librit thonë: “Ne jemi ata që punojnë më së shumti e paguhemi më pak!” Allahu Fuqiplotë u thotë: “ A mos ju kam bërë padrejtësi në hisen tuaj?” Ata thonë: “Jo.” Ai u thotë: “Kjo është mirësia Ime, që ia jap kujt të dua.””