“Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu nga Ibn Shihabi se Urve ibn Zubejri tregon se e ka pyetur Aishen (Allahu qoftë i kënaqur me të!) për ajetin: “Nëse keni frikë se nuk bëni drejtësi ndaj jetimeve...” (Nisa, 3) - O biri i motrës sime, fjala është për jetimen, që jeton në shtëpinë e kujdestarit të saj, ndërkohë atij i pëlqen bukuria dhe pasuria e saj, andaj dëshiron (të martohet me të dhe) t'ia ulë mehrin (nën traditën e shoqeve të saj). Prandaj, u ndaluan të martohen me to, përveç nëse tregohen të drejtë duke ua dhënë mehrin të plotë, ndërsa u është lejuar të martohen me këdo prej grave të tjera. Por, njerëzit e pyetën sërish të Dërguarin e Allahut ﷺ (rreth kësaj çështjeje), e në atë rast Allahu e zbriti ajetin: “Ata prej teje (o Muhammed!) kërkojnë sqarimin e çështjeve për punë të femrave. Thuaju: “Allahu ua sqaron çështjet e atyre, dhe për atë që ua ka shpjeguar në libër mbi femrat bonjake, të cilave nuk u jepni atë që është caktuar për to, e dëshironi të martoheni me to...” (Nisa, 127) Allahu ua zbriti këtë ajet se, nëse jetimja është e bukur dhe e pasur, njerëzit lakmojnë në martesën dhe prejardhjen e saj, duke ia plotësuar mehrin. E, nëse për shkak të mungesës së pasurisë e bukurisë nuk e lakmojnë, e lënë atë dhe kërkojnë gra të tjera. Pra, ashtu siç e lënë, pasi nuk lakmojnë në të, asisoj nuk u lejohet të martohen me të, kur ajo është e kërkueshme (për shkak të pasurisë dhe bukurisë), përveç nëse tregohen të drejtë dhe ia japin mehrin aq sa i takon, - u përgjigj Aishja.”