“Abdulaziz ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Ibrahim ibn Sadi nga Salih ibn Kejsani, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka rrëfyer Salim ibn Abdullahu se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton rrëfimin e Omerit, kur Hunejs ibn Hudhafe Sehmiu, një shok i të Dërguarit të Allahut ﷺ, vdiq në Medinë dhe e la Hafsë bint Omerin të ve. Ai rrëfen: “Shkova tek Othman ibn Afani dhe ia propozova Hafsën.” Ai tha: “Do të mendohem.” Prita disa net, pastaj më takoi dhe më tha: “Kam vendosur që, për momentin, të mos martohem. Pastaj e takova Ebu Bekrin dhe i thashë: “Nëse do, po ta jap Hafsë bint Omerin për grua.” Ebu Bekri heshti e nuk më tha asgjë. Kjo më hidhëroi më shumë sesa e Othmanit. Pas disa netësh, i Dërguari i Allahut ﷺ e kërkoi dorën e saj, kështu që ia dhashë për grua. Kur Ebu Bekri më takoi, më tha: “Ndoshta më je hidhëruar që nuk t'u përgjigja kur ma propozove Hafsën?” I thashë: “Po.” Ai më tha: “Gjëja e vetme që më pengoi të të përgjigjem ishte fakti se i Dërguari i Allahut ﷺ e pati përmendur Hafsën. Nuk desha ta përhap sekretin e të Dërguarit të Allahut ﷺ. Sikur ta linte ai, unë do ta pranoja.””