“Kutejbe na ka thënë: Na ka treguar Jakubi nga Ebu Hazimi se Sehël ibn Sadi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një grua vajti tek i Dërguari i Allahut ﷺ e i tha: “O i Dërguari i Allahut! Kam ardhur të ta ofroj veten time.” I Dërguari i Allahut ﷺ ktheu kokën nga ajo, e shikoi mirë, pastaj e uli kokën. Kur gruaja pa se ai nuk mori ndonjë vendim për të, u ul. Një nga shokët e tij u ngrit dhe tha: - O i Dërguari i Allahut! Nëse nuk ke nevojë për të, martoje me mua! - “A ke diç për t'i ofruar?” - e pyeti Pejgamberi ﷺ. - Për Allahun, nuk kam asgjë, o i Dërguari i Allahut, - tha ai. - “Shko te familja jote dhe shiko mos po gjen diçka!” - tha Pejgamberi ﷺ. Ai shkoi dhe u kthye, pastaj tha: “Për Allahun, nuk paskam asgjë.” - “Kërko, qoftë dhe një unazë prej hekuri!” , - i tha i Dërguari i Allahut ﷺ. Shkoi prapë dhe, kur u kthye, tha: “Për Allahun, o i Dërguari i Allahut, nuk gjeta as unazë prej hekuri, por ja ku e kam izarin, le ta marrë gjysmën.” Sehli thotë: “Ai nuk posedonte rida fare.” - “Çfarë të bëjë ajo me izarin tënd? Nëse do ta veshësh ti, asaj s'do t'i mbetet gjë, e, nëse ajo e vesh, ti s'do të kesh asgjë për të veshur?” - tha Pejgamberi ﷺ. Burri u ul dhe qëndroi ashtu për një kohë. Pastaj u ngrit dhe, kur Pejgamberi ﷺ e pa se donte të largohej, urdhëroi ta thërrisnin. Kur erdhi, i tha: “Sa pjesë të Kuranit di ti përmendsh?” - Di këtë sure dhe atë sure, - tha ai dhe i numëroi. - “A mund t'i thuash përmendsh?” - e pyeti Pejgamberi ﷺ. - Po, - tha ai. - “Shko! Po të martoj me të, e për mehër mësoja pjesët që di përmendsh nga Kurani”, - i tha Pejgamberi ﷺ.””