“Jahja ibn Sulejmani na ka thënë: Na ka treguar Ibn Vehbiu nga Junusi. [t]: Ahmed ibn Salihu na ka thënë: Na ka treguar Anbese, e këtij i ka treguar Junusi nga Ibn Shihabi, e këtij i ka rrëfyer Urve ibn Zubejri se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), gruaja e Pejgamberit ﷺ, tregon: “Martesa në periudhën paraislame bëhej në katër forma: 1. Njëra formë ishte sikurse martesa e sotme: njeriu ia kërkon dikujt të afërmen a vajzën e tij, ia jep mehrin dhe martohet me të. 2. Forma tjetër ishte: burri i thoshte gruas së tij, pasi ajo pastrohej nga menstruacionet: “Shko te filani dhe bëj marrëdhënie intime me të.” Kështu, burri i saj largohej dhe nuk i afrohej, derisa të qartësohej nëse ishte shtatzënë me burrin e dytë, me të cilin kishte bërë marrëdhënie intime. Kur dallohej gjendja e shtatzënisë, burri i saj mund të kryente marrëdhënie me të, nëse kishte dëshirë. E gjithë kjo bëhej për t'i lindur fëmijë. Kontrata e këtillë martesore quhej martesa e kërkimit të marrëdhënieve intime. 3. Forma tjetër: një grup njerëzish, më pak se dhjetë persona, mblidheshin, hynin te një grua dhe të gjithë bënin marrëdhënie me të. E, pasi ajo mbetej shtatzënë, lindte dhe kalonin disa net pas lindjes, atëherë ajo i thërriste ata, ashtu që asnjëri prej tyre nuk mund të refuzonte. Pasi ata mblidheshin tek ajo, ajo u thoshte: “Ju e dini çfarë keni bërë, ndërkaq unë kam lindur.” E, duke thirrur dikë prej tyre, i thoshte: “Ky fëmijë është yti, o filan.” Kështu, fëmija i jepej atij dhe ai nuk kishte të drejtë ta refuzonte atë. 4. Martesa e katërt: shumë njerëz mblidheshin dhe hynin te një grua, ndërkaq ajo nuk refuzonte asnjërin që i shkonte. Këto ishin laviret. Ato vendosnin flamuj në dyert e tyre, si shenjë për një gjë të tillë. E, kush dëshironte, hynte tek ato. Nëse ndonjëra mbetej shtatzënë e pastaj e lindte fëmijën, ata mblidheshin dhe thërrisnin disa njohës të ngjashmërisë mes njerëzve. Ata ia jepnin fëmijën personit që mendonin se ishte i tiji. Kështu, ia atribuonin atij dhe fëmija konsiderohej i tiji, ndërkohë ai nuk mund ta refuzonte. E, kur Muhamedi ﷺ u dërgua me të vërtetën, i shfuqizoi të gjitha martesat paraislame, përpos martesës që njerëzit e bëjnë sot.””