“Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi nga Zuhriu; [t]: Lejthiu na ka thënë: Më ka treguar Ukajli nga Ibn Shihabi se Urve ibn Zubejri tregon se e pyeti Aishen (Allahu qoftë i kënaqur me të!): “Oj nëna ime, çfarë kuptimi ka ky ajet: “Nëse keni frikë se nuk bëni drejtësi ndaj jetimeve, atëherë, martohuni me ato gra që ju pëlqejnë: me dy, me tri ose me katër; e, nëse frikësoheni se nuk do të jeni të drejtë ndaj të gjithave njësoj, atëherë mjaftohuni me një grua ose me atë që e keni në pushtetin tuaj.” (Nisa, 3) - O biri i motrës sime, fjala është për jetimen që jeton në shtëpinë e kujdestarit të vet, ndërsa atij i pëlqen bukuria dhe pasuria e saj, (andaj dëshiron të martohet me të dhe) ia ul vlerën e mehrit (nën traditën e shoqeve të saj). Prandaj, u ndaluan të martohen me to, përveç nëse tregohen të drejtë duke ua dhënë mehrin të plotë dhe u është lejuar të martohen me këdo prej grave të tjera. Por, të pranishmit sërish e pyetën të Dërguarin e Allahut ﷺ (rreth kësaj çështjeje), e në atë rast Allahu e zbriti ajetin: “Ata prej teje (o Muhamed!) kërkojnë sqarimin e çështjeve për punë të femrave. Thuaju: “Allahu ua sqaron çështjet e atyre, dhe për atë që ua ka shpjeguar në libër mbi femrat bonjake, të cilave nuk u jepni atë që është caktuar për to, e dëshironi të martoheni me to, (dhe ju mëson) për fëmijët e mitur dhe (ju urdhëron) që të silleni drejt ndaj bonjakëve. E, Allahu, e di mirë për çdo të mirë që punoni.” (Nisa, 127) Pra, në këtë ajet, Allahu u tha që, kur jetimja është e pasur dhe e bukur, njerëzit lakmojnë në martesën dhe prejardhjen e saj duke ia plotësuar mehrin, e, kur nuk lakmojnë në të, për shkak të mospasjes së pasurisë e të bukurisë, e lënë atë dhe kërkojnë gra të tjera. Pra, ashtu siç e lënë kur nuk lakmojnë në të, po ashtu nuk u lejohet të martohen me të kur ajo është e kërkueshme (për shkak të pasurisë dhe bukurisë), përveç nëse tregohen të drejtë dhe ia japin mehrin aq sa i takon, - iu përgjigj Aishja.””