“Ibrahimi ka thënë Ebu Othmani tregon: “Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) kaloi nga Xhamia Beni Rifa dhe tha: “Kur Pejgamberi ﷺ kalonte nga shtëpia e Umu Sulejmit, hynte dhe i jepte selam.” Pastaj vazhdoi: “Kur Pejgamberi ﷺ u martua me Zejneben, Umu Sulejmi më tha: “Sikur t'i dhuronim diçka të Dërguarit të Allahut ﷺ!” Unë i thashë: “Dhuroji, pra!” Kështu, ajo mori ca hurma, gjalpë dhe djathë, përgatiti një gjellë në tenxhere dhe më porositi t'ia dërgoja Pejgamberit ﷺ. Kur ia çova dhuratën, ai më tha: “Lëre këtu!” Pastaj m'u drejtua: “M'i thirr këta njerëz, - të cilëve ua përmendi emrat, - si dhe ndokënd që takon (rrugës) .” Veprova siç më tha dhe, kur u ktheva, shtëpia ishte mbushur me njerëz. E pashë Pejgamberin ﷺ t'i kishte vendosur duart në tenxhere duke u lutur, aq sa deshi Allahu. Pastaj filloi t'i thërriste të pranishmit dhjetë nga dhjetë, që të hanin prej saj, ndërkohë u thoshte: “Thoni “bismilah" dhe secili le të hajë para vetes!” Kjo zgjati derisa të gjithë hëngrën dhe u shpërndanë. Doli kush doli, porse disa persona mbetën duke biseduar. Unë fillova të mërzitem (prej tyre), kurse Pejgamberi ﷺ shkoi në shtëpitë e grave të tjera. Më pas, shkova ta kërkoja dhe i thashë: “Ata kanë shkuar.” Atëherë ai u kthye në shtëpi dhe e lëshoi perden. Unë isha brenda, kur ai filloi të lexojë ajetin: “O besimtarë, mos hyni në shtëpitë e të Dërguarit, përveç rastit kur ju është dhënë leje për të ngrënë, por jo të pritni përgatitjen e tij (ushqimit)! Hyni vetëm kur t'ju thërrasin dhe, pasi të hani, shpërndahuni! Mos qëndroni pas ushqimit për të biseduar me njëri-tjetrin. Kjo, me të vërtetë, e shqetësonte të Dërguarin e ai turpërohej (që t'jua thoshte këtë), ndërsa Allahu nuk turpërohet që t'jua thotë të vërtetën...” (Ahzab, 53) Ebu Othmani shton: “Enesi tregon se i ka shërbyer të Dërguarit të Allahut ﷺ dhjetë vjet radhazi.””