“Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Më ka treguar Lejthiu nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur i Dërguari i Allahut ﷺ erdhi në Medinë, unë isha dhjetëvjeçar. Nënat e mia (nëna dhe tezet) vazhdimisht më nxisnin që t'i shërbeja Pejgamberit ﷺ. Rrjedhimisht, i kam shërbyer dhjetë vjet me radhë. Kur Pejgamberi ﷺ vdiq, unë isha njëzetvjeçar dhe isha më i dituri se kur ka zbritur urdhri i mbulesës. Ajetet e para që kanë zbritur (për mbulesën) janë ato kur i Dërguari i Allahut ﷺ u martua me Zejnebe bint Xhahshin: ai hyri dhëndër, pastaj ftoi njerëzit, të cilët hëngrën dhe u larguan. Por, një grup prej tyre mbetën te Pejgamberi ﷺ dhe e zgjatën ndejën. Atëherë, Pejgamberi ﷺ u ngrit dhe doli. Kështu, dola edhe unë, që edhe ata të dilnin. Pejgamberi ﷺ eci, e edhe unë pas tij, derisa arriti te pragu i dhomës së Aishes. Pasi ia mori mendja se ata kishin shkuar, u kthye, e edhe unë u ktheva me të. Me të hyrë në shtëpinë e Zejnebes, i gjeti ata të ulur. Pra, ende nuk kishin shkuar. Kështu, ai doli sërish, e edhe unë pas tij, derisa arriti te dhoma e Aishes. Kur ia mori mendja se ata kishin shkuar, u kthye, e edhe unë u ktheva me të. Kësaj radhe tanimë ishin larguar. Pejgamberi ﷺ e lëshoi perden mes meje dhe tij, e në atë rast zbritën ajetet e mbulesës.””