“Sulejman ibn Abdurrahmani dhe Ali ibn Huxhri na kanë thënë: Na ka rrëfyer Isa ibn Junusi, e këtij i ka treguar Hisham ibn Urve nga Abdullah ibn Urve, e ky nga Urve se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “U mblodhën njëmbëdhjetë gra duke premtuar dhe duke u marrë vesh që të mos fshehin asgjë për burrat e tyre. Kështu, e para tha: “Burri im është sikurse mishi i një deveje të dobët, në majë të një kodre: nuk është e lehtë për t'u ngjitur atje e as mishi aq i mirë që t'ia vlejë për të shkuar tek ai.” E dyta tha: “Unë nuk i shpalos punët e burrit tim, sepse frikohem se nuk do të lë gjë pa ia përmendur. Nëse e përmend atë, do t'ia përmend të gjitha të metat dhe të këqijat e tij.” E treta tha: “Burri im është shumë i gjatë. Nëse flas, më shkurorëzon, e, nëse hesht, më mban varur.” E katërta tha: “Burri im është sikurse nata në Tihame (emër vendi): as shumë i nxehtë, as shumë i ftohtë e as i frikshëm, as monoton.” E pesta tha: “Kur burri im hyn (në shtëpi), është sikurse tigri, e, kur del jashtë, është sikurse luani dhe nuk pyet, por shpërfill (të metat e shtëpisë).” E gjashta tha: “Kur burri im ha, e ha të tërën, e, kur pi, e pi të tërën. Kur shtrihet, mbështillet i vetëm dhe nuk shtrin dorën (nuk interesohet) që të dijë brengat (e gruas).” E shtata tha: “Burri im është i humbur e i zhytur në të këqija dhe është i marrë. Çdo të metë që ju dini, e gjeni tek ai. Të çan kokën a trupin (me rrahje), ose që të dyja njëherazi.” E teta tha: “Kur burri im më prek, është sikurse të të prekë lepuri, ndërsa aroma e tij është zerneb (aromë bime shumë e mirë).” E nënta tha: “Burri im shtyllën e tendës e ka të gjatë (është bujar), këllëfin e shpatës e ka të gjatë. Ka shumë hi (ndez shumë zjarr për mysafirë) dhe shtëpia e tij është afër kuvendit të burrave.” E dhjeta tha: “Burri im është malik (pasanik). E dini ç'është maliku? Ai është më i mirë sesa mund ta merrni me mend. Ai ka deve në shumë torishta, porse aty qëndrojnë shkurt. Kur ato e dëgjojnë zërin e instrumentit (për gosti), e dinë se do të theren.” E njëmbëdhjeta tha: “Burri im është Ebu Zeri. E dini kush është Ebu Zeri? M'i ka mbushur veshët me stoli e m'i ka shëndoshur krahët. Më ka lumturuar, prandaj jam shumë e lumtur. Më ka gjetur në një familje me pak dele, që ishin të rraskapitur, e më ka sjellë në një familje që ka kuaj, shala deveje, njerëz që korrin dhe që i fshijnë drithërat. Tek ai flas dhe nuk qortohem, fle deri vonë dhe pi derisa të ngopem. Nëna e Ebu Zerit! E dini kush është nëna e Ebu Zerit? Çantat e saj janë të mëdha dhe shtëpia e saj është e gjerë. Djali i Ebu Zerit! E dini kush është djali i Ebu Zerit? Shtrati i tij është i ngushtë sikurse shpata e nxjerrë nga këllëfi dhe ngopet me një parakrah keci. E bija e Ebu Zerit! E dini kush është e bija e Ebu Zerit? E respekton babanë dhe respekton nënën, i mbush rrobat e saj (ka trup të plotë), saqë e xhelozojnë ortaket e veta. Shërbëtorja e Ebu Zerit! E dini kush është shërbëtorja e Ebu Zerit? Nuk na i përhap lajmet, nuk na i nxjerr ushqimet (jashtë shtëpisë) dhe nuk i lë mbeturinat nëpër shtëpi. Por, një ditë, në kohën kur ndahet maza prej enës së qumështit (herët në mëngjes), Ebu Zeri doli dhe takoi një grua, e cila kishte dy fëmijë që dukeshin sikurse dy tigra, të cilët luanin nën belin e saj me dy shega. Kështu, më shkurorëzoi mua dhe e martoi atë. Rrjedhimisht, u martova me një burrë shumë të ndershëm, që ngiste kalë të palodhur, që posedonte shtizë (ishte trim) dhe më solli shumë deve. Nga çdo gjë që theret më dha nga një çift dhe më tha: “Ha, o Umu Zeri dhe jepi familjes sate.” Pastaj ajo tha: “Sikur të mblidhja të gjitha gjërat që m'i dha ai, nuk do të arrinin as enën më të vogël të Ebu Zerit.” Aishja tha: “I Dërguari i Allahut ﷺ më tha: “Unë jam për ty sikurse Ebu Zeri për Umu Zerin.” Ebu Abdullahu (Buhariu) ka thënë: “Na ka treguar Seid ibn Seleme nga Hishami, i cili përdor një shprehje tjetër, kur thotë: “... nuk i lë mbeturinat në shtëpi.” Po ashtu, Ebu Abdullahu përdor një shprehje tjetër kur thotë: “Pi derisa të ngopet.””