“Hasen ibn Muhamed ibn Sabahu më ka thënë: Na ka treguar Haxhaxhi nga Ibn Xhurejxhi, e këtij i ka treguar Atai, e ky e ka dëgjuar Ubejd ibn Umejrin se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ rrinte te Zejnebe bint Xhahshi dhe hante mjaltë, andaj unë dhe Hafsa u morëm vesh që, kur Pejgamberi ﷺ të vijë te cilado prej nesh, t'i themi: “Po të vjen era megafir. Vallë, ke ngrënë megafir?” Kështu, një ditë ai erdhi te njëra dhe ajo ia tha fjalët e mësipërme. I Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Jo. Kam ngrënë mjaltë te Zejnebe bint Xhahshi, por nuk do të ha më.” Atëherë zbritën ajetet e para të sures Tahrim: “O Pejgamber! Përse po ia ndalon vetes atë që ta ka lejuar Allahu ty, në kërkimin e kënaqësisë së grave tuaja. E, Allahu është falës dhe mëshirues. Allahu ju ka bërë të mundshme që të liroheni nga betimet tuaja; Allahu është Zoti juaj; Ai është i Dijeplotë dhe i Urtiplotë. Kur Pejgamberi ia tregoi një fjalë të fshehtë njërës prej grave të tij; e ajo pastaj e shpalli këtë fjalë, - e Allahu ia zbuloi këtë Pejgamberit, - ai një pjesë të këtij zbulimi e tregoi, kurse pjesën tjetër e heshti. Kur Pejgamberi e informoi atë (gruan) për këtë fshehtësi, ajo e pyeti: “E kush të ka treguar ty për këtë (se nuk e paskam ruajtur bisedën e fshehtë)?” Ai i tha: “Ma tregoi Ai që di gjithçka dhe të Cilit çdo gjë i është e njohur. Nëse ju të dyja pendoheni tek Allahu...” (Tahrim, 1-4) Ky ajet kishte për qëllim Aishen dhe Hafsën. Ndërkaq ajeti: “Kur i Dërguari i tregoi një fjalë të fshehtë njërës prej grave të tij...” (Tahrim, 3) ka për qëllim fjalët e tij: “Jo. Kam ngrënë mjaltë...””