“Ferve ibn Ebu Magrai na ka thënë: Na ka treguar Ali ibn Mus'hiri nga Hisham ibn Urve, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Të Dërguarit të Allahut ﷺ i pëlqenin mjalti dhe ëmbëlsirat. Pasi e falte namazin e ikindisë, shkonte te gratë e tij dhe ndodhte që ndonjërës t'i afrohej. Një ditë shkoi te Hafsa bint Omeri dhe qëndroi më shumë se zakonisht. Unë xhelozova dhe kur pyeta rreth kësaj, dikush më tha: “Një familjare e saj i ka dhuruar një enë mjaltë dhe Hafsa i ka dhënë Pejgamberit ﷺ për të ngrënë. Si pasojë, thashë: “Për Allah, do t'ia bëjmë një hile.” Kështu, i thashë Sevdë bint Zemës: “Ai do të të afrohet ty, prandaj thuaji: “Ke ngrënë megafir?” Ai do të të thotë: “Jo”, pastaj thuaji: “Përse po të vjen kjo erë?” Ai do të të thotë: “Hafsa më ka dhënë të ha mjaltë.” Ti thuaji: “Bletët, pra, paskan kullotur në drunj të megafirit.” Unë kam për t'i thënë ashtu, e njëjtë thuaji edhe ti, oj Safije.” Sevda rrëfen: “Për Allah, sapo erdhi te dera, veprova siç më the ti, pasi të kisha frikë.” (Aishja vazhdon:) “Kur iu afrua, Sevda i tha: “O i Dërguari i Allahut, ke ngrënë megafir?” - “Jo”, - tha ai. - Përse po të vjen kjo erë? - “Hafsa më ka dhënë të ha mjaltë.” - Bletët paskan kullotur në drunj të megafirit, pra, - i tha ajo. Kur erdhi tek unë, edhe unë ia thashë të njëjtat fjalë. Pastaj shkoi te Safija, edhe ajo ia tha të njëjtat fjalë. Si pasojë, kur shkoi herën tjetër te Hafsa dhe ajo i tha: “O i Dërguari i Allahut, të të ofroj mjaltë?” - “Nuk më duhet”, - i tha ai. Sevda më pati thënë: “Për Allah, e lamë pa mjaltë!” I thashë: “Hesht moj!””